Ministri i Arsimit dhe Shkencës Arbër Ademi sot deklaroi se marrja e kompetencës Komunës së Gostivarit për emërim dhe shkarkim të drejtorëve të shkollave fillore dhe të mesme nuk është revanshizëm dhe nuk ka motiv politik.

“Jemi ballafaquar me një sërë parregullsish në drejtim të shkarkimit dhe emërimit të drejtorëve në shkollat ​​fillore dhe të mesme. Dhe, si Ministri jemi detyruar të reagojmë sepse detyrë të tillë kemi nga ligji. Janë shkarkuar pothuajse të gjithë drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme pa procedurë, janë emëruar drejtorë në të gjitha shkollat ku ka pasur shkarkime pa procedurë dhe një pjesë e konsiderueshme e këtyre drejtorëve që janë emëruar në këto pozita nuk i plotësojnë kushtet e parapara me ligj të emërohen drejtorë”, deklaroi Ademi.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës tha se janë ballafaquar edhe me situata ku njëri drejtori për një kohë shumë të shkurtër është shkarkuar dy herë.

“Për herë të parë pasi janë kthyer kompetencat, pas internimit të inspektoratit shtetëror sërish i ka kthyer që ta shkarkojë pas gjashtë ditëve përsëri. Edhe herën e parë edhe të dytë të shkarkimit janë emëruar kandidatët e njëjtë të cilët nuk i plotësojnë kushtet që të zgjidhen drejtorë”, tha Ademi.

Kjo siç tha, është masë jo e njohur, por e detyrueshme si masë e cila është e obligueshme të ndërmerret si Ministri e Arsimit dhe Shkencës kur ballafaqohemi me situata të tilla. Paralajmëroi se Vendimi për marrjen e kompetencës të kryetarit të komunës së Gostivarit Arben Taravari do të jetë e qasshme për të gjithë. Në Vendim konkretisht pasqyrohet çdo procedurë e Inspektorit shtetëror të arsimit dhe atë që e ka ndërmarr MASH-i në këtë drejtim.