Nënkryetari i “Unitetit”, Zylfi Adili për televizionin Shenja ka thënë se momenti i shkrirjes së partisë në LR-PDSH-në, është i vjetër pasi qëmoti, Kuvendi qendror i partisë me shumicë absolute ka vendosur pro shkrirjes, dhe kundërshtim ka pasur vetëm kryetari i partisë.
Adili ia kujtoi Ostrenit që pushteti i tij nuk është absolut dhe se shumica tjetër kanë pranuar tashmë shkrirjen.

“Prej fillimit Kuvendi Qendror i Unitetit ka qenë me këtë qëndrim. Aleanca për Shqiptarët si një subjekt politik u themelua me vendim të dy kuvendeve të dy subjekteve politike. Edhe degët edhe Kuvendet e kanë marrë këtë qëndrim. Shumica absolute është me këtë qëndrim, dhe më vjen shumë keq që Gëzim Ostreni nuk e respekton këtë. Ai e dinë këtë punë shumë mirë”, thotë Zylfi Adili, nënkryetar i UNITETIT.

Pas kalimit me emër të LR-PDSH-së në Aleanca për Shqiptarët dhe reagimit të RDK-së se i njëjti emër nuk është pranueshëm nga ajo dhe UNITETI, Gëzim Ostreni për Portalb.mk edhe njëherë tha se emri Aleanca për Shqiptarët është koalicion dhe atë nuk mund ta përvetësojë askush.