Jo vetëm ndaj Prokurorisë Speciale Publike, por edhe ndaj Kuvendit të Maqedonisë ku janë të zgjedhurit e popullit, Drejtoria e Sigurisë dhe Kundërzbulimit ka qenë hermetikisht e mbyllur. Këtë e vërtetojnë në deklaratat e tyre për Portalb, deputetët dhe kryetari i Komisionit kuvendor për mbikëqyrjen e punës së Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim dhe Agjencisë për Kundërzbulim, njofton Portalb.mk.

Deputeti Zylfi Adili, nënkryetar i Partisë Uniteti tha se Komisioni për mbikëqyrjen e shërbimeve pati kontakte me DSK dhe Agjencinë e Inteligjencës, por që të njëjtat nuk kanë qenë korrekt, sidomos kur Adili ka kërkuar përgjegjësi për rastet e ndjeshme që kanë të bëjnë me interesin shqiptar.
“Nuk kanë qenë korrektë në raport me Komisionin kuvendor. Mund të them lirisht se këta institucione e kanë llogaritur veten se mund të vendosin për gjithçka në këtë shtet, duke mos respektuar as Ligj e as Kushtetutë. Ata nuk kanë qenë të sinqertë në raport me ne, sidomos për interesat shqiptare, siç është: rasti i Kumanovës, Sopotit, Monstra dhe raste tjera ku përgjegjës ka qenë sistemi i sigurimit të shtetit. Unë mendoj se nuk ka pasur bashkëpunim të mirë mes Kuvendit, konkretisht Komisionit kuvendor për mbikëqyrjen e shërbimeve dhe DSK-së”, deklaroi për Portalb Adili.