Dosjet e të burgosurve të Idrizovës që do t’i kapë ligji i amnistisë janë bërë gati dhe janë dërguar në gjykatat adekuate, kurse përgjigjet sipas afatit ligjor, duhet të kthehen pas 5 ditëve. Zëvendës drejtori i burgut, Sadush Arifi, tha se kanë punuar edhe gjatë fundjavës që të burgosurit të lirohen sa më shpejt.

“Në javën e kaluar kemi punuar edhe jashtë orarit për të arritur që deri sot të jemi të kompletuar që të dërgohen nëpër të gjithë gjyqet e Republikës së Maqedonisë dosjet e të burgosurve. Domethënë 500 janë dërguar, ku presim tash të na përgjigjen në afat të caktuar sipas ligjit”, u shpreh Sadush Arifi, Zv.Drejtor i Burgut të Idrizovës.

Se dosje po vijnë pa ndërprerë e konfirmojnë edhe nga Gjykata Themelore, Shkupi 1.

“Deri sot në mesditë para Këshillit Penal janë dorëzuar 16 kërkesa të kompletuara, kurse në sektorin penal kanë arritur më shumë se 100 kërkesa, por numri ndryshohet çdo moment sepse pritet që në periudhën në vazhdim të arrijnë edhe kërkesa tjera, e pasi të vërtetohet se kërkesat janë të kompletuara, menjëherë shpërndahen para Këshillit Penal”, nga Gjykata Themelore Shkupi 1.

Përveç se do të lirohet një numër i madh i personave, zëvendës drejtori, Sadush Arifi i gëzohet edhe faktit se do të ketë edhe më shumë hapësirë që do të thotë se do të përmirësohen kushtet edhe për të burgosurit tjerë dhe për të punësuarit.

“Normal se do të përmirësohen kushtet, normal se do të kemi hapësira të mjaftueshme për të burgosurit. Po ashtu edhe për të punësuarit do të jetë një lehtësim edhe më i madh”, shtoi Arifi.

Amnistia nuk është lajmi i mirë i vetëm për të burgosurit e Idrizovës. Nga prilli i këtij muaji do të lëshohet në përdorim edhe godina e re, e cila ka hapësirë për 546 të burgosur, kurse nga pamjet shihet se kushtet do të jenë shumë më të mira se sa në objektet e vjetra.

Problem do të mbetet numri i pamjaftueshëm i gardianëve dhe i edukatorëve. Aktualisht burgu më i madh në vend ka vetëm 183 gardianë, 37 edukatorë dhe vetëm katër anëtarë të personelit mjekësor. Punësimet e fundit janë bërë në vitin 2014, kurse nga drejtoria kanë dërguar deri tek Ministria e Drejtësisë kërkesa për 17 punësime të reja. /TV21/

https://www.youtube.com/watch?v=gObeLbRmdeE