Kryetari i Lëvizjes BESA, Afrim Gashi ka dërguar urim me rastin e fillimi të vitit të ri shkollor. Ai vlerëson se nxënësit janë ushtarët e suksesit tonë të ardhshëm si komb dhe si shoqëri.

Në vazhdim, teksti i plotë!

Të nderuar arsimtarë,

Sot, në ditën e parë të shkollës, kur dëshiroj t’ju drejtohem me urimin për vit të mbarë shkollor, për suksese dhe rezultate me nxënësit tuaj, dua t’ju them edhe se detyra juaj nuk është vetëm ofrimi i informacioneve të nevojshme për nxënësit tuaj, por – për mua – kjo është një detyrë misionarike, që të gjithë neve na bën ta ndjejmë pafuqinë e fjalëve për të shprehur falënderimin dhe ngazëllimin tonë për punën tuaj vetëmohuese. Ne ju detyrohemi dhe ju mbetemi borxh gjithnjë!

Ndërkaq ju, të dashur nxënës, që sot ia keni nisur shkollës me shumë dilema për të ardhmen tuaj, dëshiroj t’ju them se ju jeni ushtarët e suksesit tonë të ardhshëm si komb dhe si shoqëri. Ne shpresojmë se ju do të jeni ambasadorët tanë më të mirë në të ardhmen. Ne dhe prindërit tuaj duam që nesër të mburremi me ju dhe me suksesin tuaj! Dijeni se nuk ka falënderim më të madh për një prind sesa suksesi i fëmijës së tij.

Nisur nga kjo, duke u gjendur në këtë ditë të rëndësishme, ndërsa duke qenë përfaqësues të popullit, dëshiroj t’ju them se, përkundër shqetësimeve dhe problemeve me të cilat përballemi si komb, si shtet dhe si shoqëri, angazhimi jonë për arsim cilësor mbetet prioritet i joni i lartë dhe ne mendojmë se nuk ka investim tjetër më të mirë në një shtet sesa arsimi. Vetëm investimi në arsim është e sigurt se sjell përfitime. Prandaj, nëse ne jemi shkaktarë që dikujt t’ia ndriçojmë këtë rrugë, do të konsiderojmë se e kemi kryer me dinjitet misionin tonë.

Urime viti i ri shkollor.

Suksese dhe mbarësi!