Kryetari i Lëvizjes BESA Afrim Gashi, bashkë me nënkryetarin e partisë, Nexhbedin Kahremani dhe Sekretarin e Përgjithshëm, Skender Rexhepi-Zejd, mbrëmë kanë realizuar takim me strukturat partiake në komunën e Bogovinës.
Aktivistët dhe strukturat partiake u njoftuan me ecurinë politike të Lëvizjes BESA si dhe ecurinë e bisedimeve për hyrjen e Besës në qeveri. Takime të këtilla me strukturat dhe aktivistët partiak, Lëvizja Besa është duke zhvilluar një kohë të gjatë – duke i takuar të gjitha strukturat dhe degët partiake në nivel republikan.
Vlen të theksohet se kryetari Gashi bashkë me sekretarin Rexhepi, filluan ofenzivën e takimeve me strukturat që nga Struga deri në Likovë. Takime të këtilla kryetari Afrim Gashi, ditëve në vijim pritet të zhvilloj edhe me degët tjera partiake.
Afrim Gashi në Qeveri?
Çështja e rikonstruimit të qeverisë reformatore është në fazën përfundimtare, ku së shpejti priten edhe finalizimet se si do të duket formatimi i ri i qeverisë Zaev. Ditët e fundit janë intensifikuar edhe takimet e kryeministrit Zaev me partitë politike, konkretisht me kryetarin e BESËS, Afrim Gashin.
Sipas informacioneve jozyrtare, thuhet se Afrim Gashi i BESËS ka qenë i prerë në qëndrimet dhe principet e bashkëqeverisjes, ku po nga burimet e njëjta thuhet se në një moment kur kryeministri Zoran Zaev i ka thënë Gashit që do ta merr krahun tjetër në qeveri (Kasamin), Afrim Gashi ka qenë i prerë në qëndrimet e tij, duke i thënë kryeministrit se problemet e brendshme partiake nuk duhet të transferohen në ekzekutiv, shkruajnë mediat shqiptare në Maqedoni.
Tutje këto media thonë se informacionet të cilat mbeten të pakonfirmuara deri më tani, thonë se Zaev i lutet Afrim Gashit që të jetë pjesë e qeverisë, gjersa Gashi ka shprehur qëndrimet e tij duke qenë i prerë në principet e bashkëqeverisjes. Ditë më parë nëpër shumë media online, u përhap lajmi se rikonstruimi i qeverisë do të ndodh më 3 maj.