Edhe pse është paraparë që një vit pas hyrjes në fuqi të ligjit për përdorimin e gjuhëve të gjitha institucionet të miratojnë aktet nënligjore për zbatimin e ligjit, agjencia dhe inspektorati për përdorimin e gjuhëve ende nuk kanë filluar që të konstituohen. Nga Qeveria thonë se nuk do të punësohet asnjë punëtor i ri në këto dy Institucione që i parasheh ligji për gjuhët, por do të përdoren kapacitete ekzistuese të administratës publike.

Nuk do të ketë nevojë për punësime të reja pasi që siç kemi thënë edhe më herët, mendojmë se administrata publike ka mjaftë kapacitete dhe njerëz të cilët duhet të shfrytëzohen në mënyrë adekuate dhe të cilët kanë njohuri të mirë edhe të gjuhës shqipe por edhe të gjuhëve të tjera ku do të ketë nevojë. Kështu që ideja është që të shfrytëzohen kapacitetet poseduese – deklaroi Mile Boshnjakovski, Zëdhënës i Qeverisë.

Edhe nga Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit ende nuk kanë filluar me selektimin e administratorëve që do të angazhohen në Agjencinë për gjuhët. Ky institucion gjatë ditëve të fundjavës nuk arriti të sigurojë të dhëna se sa administratorë kanë kualifikim të posaçëm si linguist apo përkthyes, kualifikime këto që do të shfrytëzoheshin në agjencinë për përkthime. Profesori universitar Avzi Mustafa ngre dyshime në aftësinë profesionale për përkthim dhe lektorim që mund ta posedojnë administratorët të cilët pritet të angazhohen në këtë Agjenci. Madje ai thotë se është e domosdoshme që të gjithë kuadrot e përkthimit t’inënshtrohen një kursi intensiv pranë katedrave të albanologjisë.

Të gjithë ato të cilët dëshirojnë që të konkurrojnë në këto organe, së pari do të duhet që të ndjekin një kurs 6 mujorë pranë katedrave gjegjëse dhe pastaj të merren dhe të blihen të gjitha fjalorët drejtshkrimorë dhe shpjegues dhe në këtë mënyrë ata do të fitojnë edhe licencën për të cilën do të jenë të aftësuar. Do të shikohet se cili është i aftë sepse nuk mund të kenë të gjithë aftësinë e njëjtë ose predispozita për të qenë një përkthyes apo lektor I mirë. Kjo sipas meje do të thotë se tani përgjegjësia nuk do të jetë kolektive por do të dihet se kush është përgjegjës për të gjitha ata gabime që ne i vërejmë në çdo vend ku shkruhet gjuha shqipe – tha Avzi Mustafa, Albanolog.

Zbatimi në praktikë i ligjit të miratuar pritet të bëhet nga dy institucione, agjencia për zbatimin e gjuhëve që e flasin së paku 20 për qind e qytetarëve të Maqedonisë, të përbërë nga përkthyes të autorizuar gjyqësor, linguist, filozof të diplomuar në gjuhën shqipe si dhe lektorë të licencuar. Ata do të udhëhiqen nga drejtori i agjencisë i cili emërohet nga qeveria përmes shpalljes publike. Veç agjencisë, është paraparë edhe formimi i inspektoratit për përdorimin e gjuhëve. Gjithashtu, parashihet që në afat prej gjashtë muajve nga miratimi i ligjit të gjithash institucionet janë të obliguara të zbatojnë obligimet e nenit 7 të ligjit. Për moszbatim të ligjit janë paraparë dënime prej 4 deri më 5 mijë euro për institucionet e theksuara në nenin 1 pika 3 dhe nenin 2 pika 3 të ligjit dhe 30 për qind e kësaj vlere për personat zyrtar dhe përgjegjës në organet e pikës 1 të këtij neni. Nga presidenca nuk tregojnë nëse Ivanov do të firmosë ligjin. Nga kabineti i tij thonë se presidenti do të përgjigjet në afatin e paraparë me ligj. Kritikat që Ivanov kishte ndaj ligjit në fjalimin e fundvitit para deputetëve lë të kuptohet se presidenti mund edhe të mos e firmosë të njëjtin. Por kreu i Kuvendit Talat Xhaferi tha se pavarësisht vendimit të Ivanovit, ligji do të miratohej përsëri në Kuvend./alsat