Sonte në emisionin ‘Click Plus’, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka folur për aktualitetin politik, koalicionin qeveritar dhe rolin e partive shqiptare, njofton Fol. Ahmeti ndër të tjera ka thënë se ai asnjëherë nuk ka ofenduar ndonjë subjekt apo krerët e partive politike, sidomos te atyre shqiptare. Ai madje ka thënë se do të jep dorëheqje nga politika, nëse gjejnë ndonjë argument, shkruan Fol.

”Nuk jam cung unë që kujt t’i kujtohet tani me ardhë e me ça dru mbi mu. 16-vite po i duroj fyerjet, sharjet nga krerë të partive politike vetëm për interesat e ngushta të tyre personale dhe grupore, e unë sot të hesht! Kurrën e kurrës nuk do të hesht dhe nuk do të pajtohem më dhe do të ndryshoj kursin politik. Që i bie, le të mbledhin mend, të organizohen dhe le t’i bashkojnë shqiptarët dhe jo t’i përçajnë shqiptarët”, ka deklaruar Ahmeti.

Ai më tej nën efektin emocional ka theksuar se turp i vjen të shkojë nëpër takime, pasi shqiptarët shkojnë me shumë delegacione, sepse sipas Ahmetit, nuk i besojnë njëri-tjetrit, duke aluduar për partitë shqiptare në Maqedoni. Kreu i BDI-së ka folur edhe për gjendjen e arsimit dhe gabimet nëpër librat, duke theksuar se gabimet shihen prej qiellit dhe për këtë nuk i ka fajet politika, por aty ka lektorë dhe ka apeluar te media që t’i publikojë emrat e këtyre njerëzve që i bëjnë këto gabime. Ndiqeni këtë pjesë prej 1:22:11.