Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti sot në një konferencë me gazetarë si absolutisht të pavërteta i hodhi poshtë pohimet e kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, se ai dhe OBRM-PDUKM janë “organizatorë të likuidimit të tij fizik”. Ai me bindje shprehet se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare pasi që LSDM dhe BDI kanë koalicion të qëndrueshëm dhe se nuk pret incidente gjatë raundit të dy të zgjedhjeve lokale.

“Dua të shpreh zhgënjimin tim me anën e gabuar që ka zotëri Sela dhe do të doja që ai të ketë një qasje më konstruktive, më afirmative në lëvizjen e proceseve dhe pikërisht këtu është zhgënjimi i im nga zotëri Sela bashkë me njerëzit e vet. Them me keqardhje se nuk është i përgatitur për procese të mëdha” tha Ahmeti duke shprehur shqetësim të madh, siç tha nga deklarata e mbrëmshme e Selës.

“Aq më tepër nga mbrëmë jam i shqetësuar dhe i zhgënjyer që ai bëri një deklaratë shumë të pamatur se gjoja se unë bashkë me OBRM-në jemi organizatorë për ta eliminuar fizikisht e tani për ta eliminuar edhe politikisht. Mirëpo unë jam me shumë imunitet ndaj futjes në radhën e akuzave të shumta që më janë bërë deri më tani dhe unë i hedh poshtë si të pavërteta këto akuza. Sa rritet numri i tyre imuniteti im forcohet. Do të doja që zotëri Sela të jetë më konstruktiv”, tha Ahmeti.

Lidhur me mundësinë për t’u mbajtur zgjedhje të parakohshme parlamentare i cili, siç tha, është i bindur se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Sa u takon zgjedhjeve të parakohshme u siguroj se zgjedhje të parakohshme nuk do të ketë. Kemi më se nevojë në vendin tonë të sundojë ligji, të punojmë në drejtim të shtetit ligjor ku vërtet do të kishim përparim të dukshëm dhe gjithashtu në kuadër të kësaj agjende, në këtë drejtim janë marrëdhëniet me fqinjët, janë proceset për inkuadrim në NATO dhe në BE, të zgjidhim problemet me palën greke. Unë jo vetëm se nuk mendoj, por nuk ka arsye që vendi të shkojë në zgjedhjeve të parakohshme”, tha Ahmeti në konferencën me gazetarët.

I pyetur se cili do të jetë roli i BDI-së në zgjedhjen e kontestit me emrin, Ahmeti u shpreh se BDI asnjëherë nuk ka qenë jashtë këtyre proceseve.

“BDI asnjëherë nuk ka qenë jashtë këtyre proceseve, pavarësisht dallimeve të thella që i kemi pasur në të kaluarën me OBRM-PDUKM-në por pikat siç kanë qenë çështja e emrit, çështja me Bullgarinë ne kemi qenë shumë aktiv por edhe mirë të informuar nga institucionet e shtetit se si zhvillohen bisedimet me Greqinë, si zhvillohen bisedimet me Bullgarinë. Nuk kam qenë aktor jashtë lojës kam bërë një sërë takimesh me ministrinë e Jashtme të palës greke, me kryeministra të e ministra të Jashtëm të Bullgarisë dhe kam inkurajuar dhe kam qenë pjesë e zgjidhjes së problemeve”, deklaroi Ahmeti duke shtuar se ka qenë racional në këtë drejtim duke mos rënë nën ndikimin e emocioneve.

“Për një zgjidhje sa më të shpejtë edhe me komunitetin ndërkombëtar kam bërë biseda në këto tema, pikërisht për të qenë pjesë e zgjidhjes së këtyre problemeve dhe ju e dini se Bujar Osmani si zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane, ka qenë pjesëmarrës i drejtpërdrejt në nënshkrimin e marrëveshjes me palën bullgare. Ky është vendi ynë dhe të gjitha palët duhet të kujdesemi për zgjidhje të problemeve dhe jo për thellim të problemeve, pasi e ardhmja jonë vërtetë është në BE, e ardhmja jonë është të kemi Ballkan por edhe një rajon shumë më të përgatitur rreth proceseve euroatlantike”, potencoi lideri i BDI-së.

I pari i BDI-së tha se është optimist lidhur me çështjen nëse Maqedonia mund të bëhet anëtare e NATO-s në samitin e radhës të Aleancës.

“Unë jam shumë optimist se proceset janë në drejtimin e duhur”, tha Ahmeti.

Lidhur me paralajmërimet me partnerin e tij të koalicionit dhe kryeministrin Zoran Zaev për mundësinë për president konsensual, Ahmeti tha se ai në kohë përkatëse përsëri do ta hap këtë temë. /Fol/