Bashkimi Demokratik për Integrim ka prezatuar në fshatin Kamjan skuadrën fituese në zgjedhjet lokale për komunën e Bogovinës.
Tubimi u çel me një minutë heshtje në nderim të ish-kryetarit të ndjerë të kësaj komune, Hazbi Idrizi.

Në takim, Berzah Bejtullahu-Xaki, kandidat për kryetar dhe Fatmir Iseni, bartës i listës kanidatëve për këshilltarë, në paraqitjen e tyre nënvizuan se tshmë në konsultim me banorët e zonë kanë hartuar projekte konkrete për të 16 vendbanimet të cilat gravitojnë në komunën e Bogovinës – duke filluar nga investimet në rrjetin rrugor, për zgjidhjen e çështjes së furnizimit me ujë të pijshëm, meremetimin e shkollave, hapjen e çerdheve e të sallave sportive e deri tek hapja e rrugëve nëpër fusha dhe vënia në funksion e kanalave të ujitjes.

Me këtë rast, kandidati për kryetar komune veçoi projektin për ujrat fekale që fillimisht do përfshijë për tetë fshatra.

I pranishëm në tubim, Zëvendëskryeministri i ngarkuar për Marrëveshjen e Ohrit dhe për Sistem Politik, Hazbi Lika, tha se fitorja e BDI-së në këto zgjedhje lokale do të jetë trimëruese edhe për ekipin përfaqësues në Qeveri për zgjidhjen e problemeve të cilat i preokupojnë shqiptarët dhe sigurimin e një të ardhmeje më të sigurt.

Njësoj si dhe ai, edhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, shprehu bindjen se Berzah Bejtullahu-Xaki, dhe këshilltarët e partisë, do të vazhdojnë rrugën e kreut të ndjerë të komunës së Bogovinës, Hazbi Idrizi, për të cilin tha se ishte arkitekt i kësaj komune.

Xakun, tha kryetari Ahmeti, e njoh që nga lufta e Kosovës në vitin 1998-99, në Rrashin e Dukagjinit dhe për 16 vite me radhë ka qenë pjesëmarrës në çuarjen e proceseve përpara. Nuk dyshoj se ai do t’ia dalë të korrë edhe një fitore: ‘E keni për obligim të gjithë ju që t’i qëndroni pas, sepse nderoni lëvizjen tuaj – Bashkimin Demokratik për Integrim që nuk ka njohur pësim e humbje që nga viti 2002,’ – përfundoi kryetari Ali Ahmeti.