Ngjarjet e rëndësishme sikurse Kongresi i Manastirit të shërbejnë si ura komunikimi dhe ura lidhëse mes komuniteteve që u takojmë dhe të gjitha zvillimet që kanë ndodhur në hapësirat tona të na shërbejnë si moment i rëndësishëm për përforcimin e bashkëpunimit midis popujve, porositi lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti në Akademinë Solemne me rastin e shënimit të 111 vjetorit të Kongresit të Manastirit.

Ahmeti në ceremoninë në të cilën i pranishëm ishte edhe kryeministri i Republikës së Maqedonisë Zoran Zaev, kujtoi se 22 Nëntori është dita e fundit ku përfundoi punimet Kongresi për unifikimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Çdo gjuhë pa alfabet, shtoi ai, është e destinuar të vdesë. Më 1908 shqipja hyri dhe u legjitimua në gjuhët pavdekshme dhe të pafundshme. Kongresi u udhëheq nga figura të shquara që kontribuan shumë për historinë, shqiptarët por edhe për fqinjët me të cilët jetonin.

“Nuk do ishte Kongresi i Manastirit i suksesshëm nëse nuk do të mbështetej nga bashkëkombësit e juaj zoti kryeministër të përkatësisë etnike maqedonase, nuk do të ishte as Kryengritja e Ilindenit dhe marrëveshja e përbashkët mes bashkëkombasve tuaj dhe të mi që të mos jetojmë më në robëri dhe nën perandori por të jenë të mëvetësishëm. Zoti kryeministër këto janë dy momente të rëndësishme që duhet të na inkurajojnë dhe motivojnë por edhe t’u shpjegojnë komuniteteve tona se në të kaluarën kanë ditur të ndërtojnë dhe të respektojnë vlera dhe këto vlera duhet të na bëjnë krenarë por edhe më komunikues dhe më mirëkuptues me njëri-tjetrin”, tha lideri i BDI-së.

Lideri i BDI-së nënvizoi se ky është shteti ynë dhe se nuk kemi shtet rezerv, prandaj, porositi, gjithçka ta investojmë këtu sepse kjo pasuri do të mbetet trashëgim ashtu siç na i lanë trashëgim të parët tanë këto ngjarje të mëdha historike duke i kujtuar kështu edhe arritjet e Marrëveshjeve historike si ajo e Prespës dhe Marrëveshjen për fqinjësi me Bullgarinë.

“Mendoj se kemi arritur mjaft dhe kemi marrë përgjegjësi, që të jemi të suksesshëm edhe në respektim sepse bashkë e kemi arritur Marrëveshjen e Prespës, Marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Bullgarinë por edhe njëherësh të gjithë bashkë kemi arritur që vendin më de fakto e kemi anëtare të 30-të të Aleancës Veriatlantike – NATO. Bashkë do të jemi edhe në procese të rëndësishme deri në anëtarësimin e vendit tonë në BE. Nga këto rrugë që kanë bërë të parët tanë por edhe ne që kemi bërë përpjekje për ta çuar vendin tonë përpara, të gjitha këto janë në shërbim dhe vlera që ndërtohen për një të ardhme më të mirë, më të sigurt”, potencoi Ahmeti në Akademi.