I nderuar Kryetar i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut z. Talat Xhaferi
I nderuar Kryeministër z. Zoran Zaev
Shkëlqesitë tuaja, amabsadorë të vendeve tona mike
Të respektuar kolegë Ministra, Kryetarë Komunash e drejtues tjerë të institucioneve
Të nderuar përfaqësues të mediave
Zonja dhe Zotërinj

Gjatë shekullit të 19-të dhe fillim të shekullit të 20-të, në Ballkanin e mbushur me turbulenca të mëdha politike. Rilindasit shqiptarë kishin vendosur mbi të gjitha prioritetet: njësimin e shkrimit të gjuhës shqipe.
Gjuha jonë e lashtë kishte mbijetuar me mijëra vite, por ishte shkruar në alfabete të ndryshme dhe kjo nuk mund të vazhdonte në pafundësi.

Në atë kohë armiqtë e shqiptarëve tentonin të na tjetërsonin, duke pretenduar se disa janë turq, disa grek, e kështu me radhë.

Kjo rrugë ishte një rrugë e mbuluar me gjak, me vuajtje të papara. Si rrallë ndonjë popull në rruzullin tokësor, shqiptarët ishin të vendosur në mbrojte të gjuhës së tyre.

Shoqëria “ Bashkimi” nga Manastiri, ku ishte vatra e veprimtarisë kombëtare e mori përsipër bashkimin e intelektualve shqiptarë nga 23 qytete, nga të gjitha vilajetet. Delegacioni përbëhej nga shqiptarë të religjioneve të ndryshme: musliman, katolik, protestant ortdoks – që i bashkonte gjuha dhe alfabeti shqip.

14 nëntori i vitit 1908 ishte dita kur filloi Kongresi i Manastirit dhe 8 ditët e ardhshme të punës, na 14 deri më 22 nëntor janë periudha e realizimit të ëndrrës së Alfabetit. Kongresi ishte pasqyra e nivelit të ngritur intelektual të asaj kohe.

Përveç alfabetit janë sjellë edhe vendime politike që janë të njohura për historinë.36 shkronjat e arta edhe pas unifkimit nuk e patën të lehtë të mbijetonin, sepse shkollat shqipe, paralelisht me fatin e kombit kaluan nëpër kohë të vështira edhe pas pavarësisë së Shqipërisë të vitit 1912, duke vazhduar deri në kohët moderne. Vetëm para 31 vjetve, shkollat në gjuhën shqipe u mbyllën në emër të ideologjisë së paraleleve të përziera, në vitin 1988. Shpresoj sinqerisht që të gjithë të kemi mësuar nga e kaluara.

Dhe mos të harrojmë, jemi duke folur gjithmonë për të drejtën themelore: atë të përdorimit të gjuhës së nënës. Hapja e 3 universiteteve në gjuhën shqipe në vendin tonë, flet shumë për ndryshimet që kanë ndodhur. Prandaj paragjykimet dhe frika nga gjuha shqipe e atyre, që ende kanë dilema është e pavend. Nuk rrezikohet askush nga gjuha e tjetrit.

Të nderuar zonja dhe Zotërinj,

Një shtet multietnik, nënkupton edhe përdorim i gjuhëve të ndryshme. Jo në dëm të gjuhëve të tjera, por si vlerë kulturore që begaton shoqërinë. Gjuha duhet të jetë elementi kyç i bashkëpunimit në mes të bashkësive etnike, sepse është elementi themelor i identitetit të kombit. Pikërisht për këtë arsye, ne si Qeveri e Republikës së Maqedonisë , pas ndryshimit të Ligjit të gjuhëve jemi përcaktuar në zbatimin e tij. Agjensia për përdorimin e gjuhëvë dhe Inspektorati i gjuhëve, janë institucione të cilat do të ndihmojnë në këtë drejtim.
Të nderuar pjesmarrës,
Pasuria e këtij vendi është diversiteti. Ne duhet të përfitojmë të gjithë nga ky shans i mrekullueshëm.
Prezenca e anëtarëve të Qeverisë në këtë manifestim, na inkurajon edhe më shumë, sepse është sinjal i qartë se në cilën rrugë është duke ecur vendi ynë. Ministria për Sistem Politik dhe Mardhënie Ndërmjet Bashkësive do vazhdojë të punojë në drejtim të avansimit të gjitha gjuhëve të bashkësive etnike që jetojnë në këtë vend. Miqtë tanë ndërkombëtarë janë shumë të mirseardhur dhe të nevojshëm në mbështjetjen e këtij proçesi.

111 vjet pas Kongresit të Manastirit ne festojmë dhe nderojmë të gjithë ata që e mbajtën të gjallë këtë gjuhë me shekuj. Gjithashtu tregojmë përcaktimin tonë për të ruajtur e zhvilluar këtë thesar të madh, jo vetëm ne si shqiptar, por edhe institucionet botërore.

Ju falendëroj të gjithëve që keni ndarë nga koha juaj, për të ardhur në aktivitetet tona mbi Kongresin e Alfabetit!
Urime dita e shkronjave!
Faleminderit për vëmendjen!