Sipas modelit të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, me konsenzus mes dy qeverive, e pastaj ratifikimin në dy kuvendet, të mbyllet çështja për emrin, propozon kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti në intervistë për gazetën greke “Katimerini”. Ai thotë se kohë më të mirë për marrëveshje se tani nuk ka dhe sqaron se qeveria do të negociojë që të arrijë marrëveshje, e jo vetëm te negociojë.

Me titull “Zgjidhje tani, pa referendum”, edicioni javor i gazetës greke “Katimerini”, njofton korrespodenti i MIA-s nga Athina, i transmeton qëndrimet e liderit të BDI-së lidhur me negociatat për emrin mes dy vendeve.

“Mënyra më e mirë për mbylljen e kësaj çështjeve është modeli i Marrëveshjes për fqinjësi të mirë mes Shkupit dhe Athinës, përmes konsenzusit mes dy qeverive, e pastaj ratifikimi në dy kuvendet”, thotë Ahmeti në intervistë, duke sqarur se qeveria dhe opozita kanë përgjegjësi historike të arrijnë marrëveshje dhe t’i dërgojnë qytetarët dhe vendin në NATO dhe BE.

“Do të marrim pjesë në negociata që të arrijmë zgjidhje, e jo vetëm që të negociojmë. Na nevojitet zgjidhje, edhe neve në Shkup edhe juve në Athinë. E kohë më të mirë se tani nuk ka”, tha Ahmeti.

Lidhur me propozimet dhe idetë e Nimicit, ai thotë se qeveria së bashku me opozitën i shqyrton dhe tenton të ketë qasje pozitive dhe konstruktive. Lideri i BDI-së, sqaron se termi “MaqedonI” ka qenë pjesë e propozimeve edhe në vitin 2008 në Bukuresht, por edhe në vitin 2011, në kuadër të propozimit “Republika Maqedonia Veriore”.

“Termi Maqedoni në emrin e vendit tonë nuk paraqet kërcënim për integritetin territorial dhe sovranitetin e Greqisë”, thotë Ameti për gazetën “Katimerini” dhe u porositi grekëve që të jenë të sigurtë se vendi i ynë nuk ka pretendim territorial ose diçka të ngjashme për vendin e tyre, dhe se është absurde të supozohet një gjë e tillë.

Ahmeti paralajmëron se moszgjidhja e problemit mund t’i ringjallë qëndrimet e vjetra për kufinjë të rinj në Ballkan.

“Nëse ky kontest nuk zgjidhet, punët mund të jenë shumë të këqija. Kur punët shkojnë keq për ne, kjo gjithsesi se do të ketë pasoja edhe për Athinën dhe me këtë mund të ringjallen ambicjet e vjetra të qarqeve të ndryshme me qëndrime arkaike për ndarje, për kufinj të rinj në Ballkan. Vlerësoj se kjo është shumë e rrezikshme për të gjithë ne në tërësi”, sqaron lideri i BDI-së.

Lidhur me atë nëse dhe sa është i mundur konsenzus në Maqedoni për çështjen me emrin, Ahmeti dërgon kritika deri te presidenti, Gjorge Ivanov.

“Zotëri Ivanov lëshoi mundësi të shkëlqyer që ta përmirësojë autoritetin e tij te shqiptarët, duke lënë edhe shenjë të tij në përfundimin e pjesës rregullative të Marrëveshjes së Ohrit. Unë pres të mos ketë qasje të njëjtë edhe për çështjen aq serioze për emrin”, tha kryetari i BDI-së Ali Ahmeti në intervistën për edicionin javor të gazetës greke “Katimerini”. /Fol/