Prokuroja speciale Fatime Fetai, ka zënë faqet e para të gazetave shqiptare në Maqedoni, e cila i vihet në ballë zyrtarëve të lartë të VMRO-DPMNE-së
Një prokurore shqiptare ka vënë në siklet gjithë ish-sistemin e kaluar qeveritar në Maqedoni, duke filluar nga kryeministri i kaluar Nikolla Gruevski, ish-ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankulovska e të tjerë (së fundmi ehde kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, i cili dyshohet në lëndën e hapur nga Specialja për manipulim me regjistrimin e vitit 2011-v.j.). Ajo është 32 vjeçja Fatime Fetai, e cila për pak muaj ka fituar “aureolën” e një ylli në këtë shtet.

Prokuroja speciale Fetai, ka zënë faqet e para të gazetave shqiptare në Maqedoni, e cila i vihet në ballë zyrtarëve të lartë të VMNRO-DPMNE-së, partisë së ish kryeministri Gruevski. Shkak për këtë shpërthim popullariteti u bë aktakuza e ngritur nga prokuroria speciale ku figura të larta akuzoheshin për vjedhjen e zgjedhjeve në rastin e njohur si “Titanik”.

Aty përpos Gordana Jankullovskas, ish – ministre e punëve të brendshme, gjenden edhe Mile Janakieski, ish – ministër i transportit dhe sekretari i Qeverisë, Kiril Boxhinovski. Akuza ndaj tyre ka të bëjë me bashkëpunim në krim, thyerje të së drejtës së votës, blerje votash, zhdukje të materialit zgjedhor dhe keqpërdorim mjetesh për kampanjë zgjedhore në vitin 2012.
Sipas prokurores shqiptare, ata mundë të dënohen deri në tre vjet.

Ndryshe, pasi katër partitë kryesore të Maqedonisë (dy shqiptare) nënshkruan atë që u njoh si marrëveshja e Përzhinos, ku parashiheshin zgjedhjet e parakohshme, qeveria teknike dhe ngritja e një prokurorie të pavarur dhe speciale, që do të hetonte aferën e përgjimeve që solli edhe krizën politike, Prokuroria speciale filloi funksionimin.

Në krye të këtij institucioni të ri, me mbështetje të madhe të amerikanëve (njësoj sikurse ata po këmbëngulin këtu në Shqipëri për ngritjen e Byrosë së Hetimit) u vendos një grua Maqedonase: Katica Janeva. Ajo mori si krahun e saj të djathtë edhe shqiptaren Fatime Fetai.

“Nuk ka diskutim që pas çdo akti të kësaj prokurorie qëndrojnë amerikanët dhe jo më kot ambasadori amerikan në Shkup e renditi Fatimen mes atyre femrave që ndryshojnë historinë”, tha për Lapsi.al një gazetare shqiptare mikeshë me kryeprokuroren.

E martuar, 32 vjeç, kjo shqiptare brune me flokë të krehura drejt, që ngjan më shumë në pamje me gratë që jetojnë në anën tjetër të Vardarit, sesa me gratë tradicionale të Tetovës, që flet po aq mirë sllavisht sa edhe shqip, nuk është një surprizë. Ajo ka kryer Fakultetin Juridik në Shkup, ku më pas ka përfunduar magjistraturën.

Karriera e saj profesionale nga viti në vit ka shënuar ngritje. Fillimisht ka filluar në Gjykatën e Apelit në Gostivar, ku ka punuar disa vite si bashkëpunëtore profesionale.

Në vitin 2011, u zgjodh si Prokurore në Shkup. Në këtë institucion punoi deri në fund të vitit 2015, kur mori detyrën në Prokurorinë Speciale.
Ndryshe nga karriera e saj, trajektoria e jetës së vet i ngjan një gruaje tipike shqiptare: ajo ka lindur në fshatin Negotinë të Gostivarit dhe është e martuar në fshatin Bogovinë të Tetovës./Voal