Qendra për Arsimin e të Rriturve (QARR) e Ministrisë së Arsimit ka akredituar trajnimin “Akademia Politike” që do të zhvillohet nga Qendra për arsim joformal dhe kurse të ndryshme “Fluent”. Trajnimi “Akademia politike”, thonë përfaqësues të “Fluent”, si i tillë cilësohet të jetë unik për nga forma e organizimit, spektri i akreditimit, tematikat e kurrikulës dhe trajnuesit që do të ligjërojnë në kuadër të trajnimit.

Koordinatori i “Akademisë Politike” në “Fluent”, Nehat Memedi, thotë se kjo Qendër tanimë është e dëshmuar në organizmin një sërë aktivitetesh nga sfera e arsimit joformal, përfshirë kurse të ndryshe të gjuhëve, kurse përgatitore me tematika atraktive dhe trajnime të cilat cilësohen si tejet reprezentative dhe të nevojshme për tregun e punës.

“Edhe pse kalojnë vite të tëra nga kur i kemi realizuar trajnimet Lidership, Menaxhment, Menaxhimi kohës, Komunikimi publik dhe arti i të folurit, Zhvillimi i personalitetit dhe ngjashëm, kandidatët të cilët kanë kaluar nëpër to flasin skajshmërisht pozitivisht për dobiprushmërinë që ua kanë sjell në kuptim përfitimesh shkathtësish e shprehish të cilat sit ë tilla nuk i kanë poseduar më herët”, thotë Memedi.

Ai tregon se “Akademia politike” është trajnim i akredituar nga Qendra për arsimin e të rriturve, respektivisht Ministria e Arsimit dhe Shkencës. “Si i tillë, ky projekt nuk do të zhvillohet vetëm në zyrat tona si rëndom, mirëpo do të realizohet edhe në lokacione apo shtete të ndryshme. Përpos ligjëratave të rëndomta e punëtorive, planifikojmë të vizitojmë institucione të ndryshme të pushtetit qendror e lokal, universitete e institute të ndryshme si dhe të realizohen vizita studimore në Zagreb, Lubjanë e Vjenë, ndërkaq konform dinamikës edhe vizitë institucionesh në Tiranë e Prishtinë, bashkë me to edhe ligjërata në universitete respektabile”, informon Memedi.

Spektri i trajnimit të akredituar “Akademia politike”, do ti përfshijë marrëdhëniet ndërkombëtare dhe diplomacinë, teoritë e marrëdhënieve ndërkombëtare, politikën e jashtme, menaxhmentin politik, analizat politike, komunikimin politik, fushatat elektorale, menaxhimin modern të partive politike, organizimin dhe anëtarësimin, demokracinë brenda partiake, testime të ndryshme mbi zhvillimin e personalitetit mbi motivin e arritjes dhe atribute të tjera psikologjike, strategji të ndryshme të komunikimit publik…

Ligjërues të trajnimit në fjalë, siç tregon Memedi, do të jenë figura të shquara politike, akademikë, profesorë e trajnues, drejtues të institucioneve si prof.dr.Otmar Holl, prof.dr.Monika Bejoviq, prof.dr. Radovan Vukadinoviq, prof. dr.Martin Berisha, prof.dr.Veli Kreci, prof.dr. Bekim Baliqi, prof.dr.Arben Taravari , prof.dr.Jonuz Abdullai, prof.dr.Ylber Sela, prof.dr.Aurora Karameti-Ndrio, doc.dr.Agron Kurtishi, doc.dr.Qashif Bakiu, doc.dr.Milaim Fetai, mr.Berat Deari, mr.Besim Dogani etj.

“Pjesë e trajnimit në fjalë do të jenë edhe drejtues departamentesh, drejtues projektesh, administrator komunal dhe nga ministritë, drejtues organizatash joqeveritare, drejtues ndërmarrjesh, politikanë, kryetar (udhëheqës) degësh të partive politike, forume rinore të partive politike, studentë…, gjithnjë konform mundësisë për pjesëmarrje në trajnime të tilla që japin ligjet ekzistuese”, shprehet Koordinatori i “Akademisë Politike” në “Fluent”, Nehat Memedi.

“Akademia Politike” në “Fluent” do të realizohet përgjatë semestrit veror, respektivisht deri në fund të vitit të rregullt shkollor akademik. Ky program do të jetë i mbyllur vetëm për kandidatët e trajnimit, numri i të cilëve është i kufizuar.

Ndryshe, “FLUENT” sapo ka përfunduar me një sërë akreditimesh e verifikimesh të institucionit për mbajtje të kurseve të anglishtes e gjermanishtes, ndërkaq në rrjedhë parasheh realizimin edhe të disa projekteve të tjera si “shkolla verore e anglishtes”, një projekt ky që sheh dritën e realizimit për herë të katërt me radhë dhe i cilësuar si një program tejet i dobishëm për filloristët.