Mëngjesin e sotëm në Haraçinë është realizuar aksion policor kundër tregtisë ilegale me armë dhe drogë. Pas një hetimi disa mujor, janë arrestuar 8 persona, mes të cilëve edhe një zyrtar policor si dhe një person nga Sveti Nikolla.

I pari për aksionin policor njoftoi Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

“Gjatë mëngjesit aksion policor për tregtinë ilegale me armë dhe drogë. Pas një hetimi disamujor, në Haraçinë janë arrestuar 8 persona, mes të cilëve edhe një zyrtar policor dhe një person nga Sveti Nikolla”, tha Oliver Spasovski – Ministër i Punëve të Brendshme.

Pas disa orëve zëdhënësi i Ministrisë së punëve të brendshme Toni Angelovski tregoi edhe detaje të arrestimit.

Sipas tij ky grup kriminel ka bërë shit-blerjen e armëve jolegale dhe të lëndëve narkotike.

“Dy nga të arrestuarit kanë krijuar grup kriminal dhe në atë janë bashkangjitur edhe 8 persona të tjerë të cilët kanë shitur armë jolegale dhe drogë për personat e interesuar.

Pas hulumtimit disa muajsh janë dokumentuar 20 shit-blerje të drogës dhe municionit. Janë siguruar një numër i konsiderueshëm i dëshmive”, deklaroi Toni Angellovski – zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Edhe nga Prokuroria Publike konfirmojnë se i arrestuar është edhe një zyrtarë policorë.

“Janë privuar nga liria dhe janë arrestuar 9 persona ndër të cilët edhe një nëpunës policor, një nga të dyshuarit tashmë gjendet në paraburgim në ngjarje tjetër penalo-juridike”, thonë nga Prokuroria Publike.

Zëdhënësi i Policisë tha se ky grup kriminel është i lidhur me rastin e Kërçovës, kur në nëntor të vitit 2020, ishte kapur një sasi e madhe e armatimit dhe municionit.