“Prej mbrëmë nga hyrja në Komunën e Haraçinës e deri në fshatrat më të thellë të Karadakut ka forca të shtuara të policisë. Ata siç mund t’i shihni edhe ju vazhdojnë të qëndrojnë nëpër pothuajse të gjitha akset që lidhin fshatrat e Karadakut mes vete. Banorët thonë se këta po krijojnë panik në mesin e banorëve të këtyre fshatrave, ata thonë se nuk din arsyet se pse policia është lëshuar nëpër Karadak.”

Banorët e Haraçinës shprehen se nuk është në rregull që policia të krijojë panik tek të gjithë banorët, pasi sipas tyre nëse ka diçka të dyshuar le t’i drejtohen personit apo shtëpisë së caktuar e jo të terrorizojnë gjithë banorët.

“Është krijuar panik, para pak çastesh disa i dërguan në spital! Këta vet po e kërkojnë, ata brenda hanë e pinë bashkë, e mandej hajde t’i ngacmojmë qytetarët. Për shkak të zgjedhjeve po e bëjnë këtë, helbete mos po ngrihet dikush e ta hajë, por ata nëse dëshirojnë të nisin diçka, le ta bëjnë.”

“Këtu ka pasur forca të policisë edhe vazhdojnë të qëndrojnë këtu, pse nuk e dimë as ne! Mos të ikin qytetarët, ne nuk dimë asgjë, kjo është vetëm panik të bëjnë në fshatë.”

“Nuk kemi informata pse kanë ardhur policia, unë jetojë në fshatin Orllancë, edhe aty ka shumë polici. Helikopterët po na fluturojnë mbi shtëpi, si mos të ketë frikë, ka fëmijë, ka gra shtatzëna. Nuk kanë treguar asgjë, ne nuk dimë asgjë, ne nuk dimë që ka diçka këtu.”

Edhe banorët e fshatit Nikushtak ndjehen të zhgënjyer nga pushtetarët të cilët sipas tyre asnjëherë deri më tani nuk ia dolën që të mbrojnë ata.

“Ne nuk dimë asgjë, veç i shohim rrugët e bllokuara dhe nuk e kemi idenë se çfarë po ndodh. Po krijohet panik, më tepër po ndikon tek fëmijët, po vijnë me helikopterë, fëmijët po frikësohen.

“Duhet me dalë dikush të na informojë, por s’ka kush, pasi ne kemi votuar disa që as emrin nuk dua t’ua përmend, por ata shohin vetëm për xhepat e tyre, për popullin fare nuk u intereson. Po e shihni edhe vetë ju, këtu është katastrofë, prej në mëngjes në ora 5 kanë nisur të fluturojnë helikopterët.”

Gjatë aksionit të policisë nuk është regjistruar ndonjë incident. Nga policia thonë se kufiri verior tashmë është shpallur zonë krize si rezultat i emigrantëve dhe për këtë arsye në këtë rajon është shtuar prania e policisë dhe ushtrisë me qëllim parandalimin e tentimeve ilegale të kalimit të kufirit.