Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, nuk do të marrë pjesë në takimet të cilat do organizohet nga kryeministri Avdullah Hoti, në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, shkruan Gazeta Metro.

Kurti është ftuar për të diskutuar me Qeverinë Hoti rreth çështjes së dialogut të ardhshëm me Serbinë, por kjo po refuzohet nga Lëvizja Vetëvendosje.

Këtë e ka bërë të ditur zyrtari i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka, ku thotë se Lëvizja Vetëvendosje, dy ditë më parë, pranoi një letër në të cilën ishte ftesa për Kurtin për diskutim rreth negociatave.

Njoftimi i plotë nga Manxhuka:

Në selinë qendrore të Lëvizjes VETËVENDOSJE! kemi pranuar një letër para dy ditësh ku ftohej Kryetari i LVV, Albin Kurti që të diskutojë me qeverinë aktuale për dialogun e ardhshëm me Serbinë.

Një qeveri e varur dhe mundësuar nga votat e Listës Serbe dhe e formuar nga Thaçi e për të si dhe një qeveri që ia heq shtetit të Kosovës reciprocitetin me Serbinë nuk ka as kredibilitet as legjitimitet. Prandaj ne nuk i jemi përgjigjur asaj ftese sepse nuk do të jemi pjesë të këtyre takimeve.