Jo vetëm qytetarët e Republikës, por edhe i tërë faktori ndërkombëtar dhe opinioni publik ishin dëshmitar se në një shtet me qeverisje kriminale siç kemi në Maqedoni, President mund të zgjidhet edhe një figurë politike jokredibile, i cili nuk ngërthen në vete as vlerat elementare njerëzore, që le për tu dëshiruar për vlerat të tjera të një Presidenti dinjitoz dhe bashkues!

Fjalimi i Gjeorgje Ivanov drejtuar mbarë vendit, më shumë i ngjajti një fjalimit të një aktivistit mediokër të pushtetit, se sa një Presidenti të vendit që në raste të këtilla do të duhej të ishte vigjilent dhe ti shërbejë interesave të gjëra për qetësimit të gjakrave dhe të amortizojë përshkallëzimin e situatës.

Përmes kësaj Komunikatë ju drejtohemi në mënyrë të drejpërdrejt juve, kushtimisht thënë “President” dhe të gjithë atyre të llojit të juaj. “Deklarata e partive shqiptare” nuk cënon shtetin e as identitetin dhe të kaluarën e historike të asnjë etniteti të caktuar. “Deklarata e partive shqiptare” në rradhë të parë parasheh parandalimin e zgjidhjes së një Presidenti, Kryeministri dhe Qeverie jokompetente dhe kriminale siç kishim deri më tani. Nuk do të lejojmë shpërdorimin e Ligjeve, Buxhetit dhe jetëve të personave të pafajshëm. Së shpejti do të vendosim themelet e shtetit ligjor, barazisë mes të gjithë etniteteve dhe do të punojmë pareshtur për progres socio-ekonomik. Këto janë standarde europiane dhe interes strategjik i të gjithë qytetarëve të Republikës!