Transferimi i mesfushorit të talentuar shqiptar të Breshias, Emanuele Ndoj, te Bolonja, tashmë ka përfunduar me sukses. Futbollisti 20-vjeçar përflitej prej ditësh për kalimin e tij nga Seria B në Serinë A dhe tashmë çdo gjë është zyrtare.

Vetë menaxheri i lojtarit, Sokol Haxhia, e ka dhënë njoftimin në profilin e tij në Facebook duke bërë me dije se prej datës 1 korrik dhe më tej Emanuele Ndoj do të bashkohet me skuadrën e Bolonjës për t’u vendosur nën urdhrat e trajnerit Donadoni.

Ndoj ka qënë më parë pjesë e Romës ku aktivizohej me ekipet zinxhir derisa u shit te Breshia në janarin e vitit të kaluar për 1.2 milionë euro. Gjatë këtij sezoni në Serinë B ai ka luajtur në 12 ndeshje dhe ka dhënë 1 asist, transmeton Panorama.

Paraqitjet e tij kanë qënë mjaftueshëm cilësore për të bindur drejtuesit e Bolonjës që të blejnë kartonin e tij dhe ta kthejnë të luajë në një klub që merr pjesë në Serinë A. Ende nuk bëhen të ditura detajet e transferimit, por e sigurt është që Ndoj do të qëndrojë në huazim deri në fund të sezonit te Breshia.