Bashkimi Demokratik për Integrim zgjodhi që sonte t’u drejtohet banorëve të Haraçinës. Kryetari i kësaj partie Ali Ahmeti drejtuar banorëve të këtij vendi tha se ka qenë ai dhe partia e tij që Hraçinën e ka futur në histori, duke thënë se ndjen shumë përgjegjësi ndaj këtij vendi pasi është vendi në të cilin janë dhënë shumë jetë, gjak dhe djersë. Mes tjerash kreu Ahmeti pëmendi edhe vërshimet e 6 gushtit, për të cilat tha se ka dhënë shumë mund për evitimin e pasojave. Ndërsa sa i takon koalicionimit të tanishëm me LSDM dhe koalicionimit të atëhershëm me VMRO-DPMNE-në, Ali Ahmeti u shpreh se votuesit kanë qenë ata që i kanë detyruar të marrin një hap të këtillë.

“Kemi marrëveshje në tërësi në qytetin e Shkupit, por edhe nëpër komunat e tjera. Ne partnerët nuk i zgjedhim, partnerët na i imponon votuesi. 10 vite kemi qenë në koalicion me VMRO-në, tash jemi në partneritet dhe në koalicion me LSDM-në. Për qytetin e Shkupit ne përkrahim kandidatin e LSDM-së, ato përkrahin kandidaturat tona në Tetovë, Gostivar dhe këtu nuk ka as marrëveshje të fshehta, as pazare të fshehta”, deklaroi Ali Ahmeti. /SHENJA/