Këto ditë, kur ndërmarrja “Hekurudhat e Maqedonisë – Transporti” i ka përzënë shqiptarët nga puna, sot jemi këtu që të shpjegojmë për opinionin se nga 31 punëtorët e angazhuar me kontratë pune, drejtori i kësaj ndërmarrje, një shqipfolës nga Dvizhenje Besa, i përjashton 21 shqiptarët dhe i mban në punë 10 maqedonasit. Vetëm ky informacion është i mjaftueshëm për ta kuptuar se kujt i shërben ky njeri dhe për çfarë agjende është angazhuar ai.

Ne, si parti politike, e njohim mirë potencialin antishqiptar dhe hakmarrës të këtij drejtori të kapur dhe të asaj partie tashmë të shkrirë në LSDM, por duam ta pyesim qeverinë se si ka mundësi të lejojë që në këtë kohë pandemie e krize ekonomike, si dhe në kulm të dimrit, t’i përjashtojë njerëzit nga puna vetëm për arsye se janë shqiptarë?

Me këtë rast duam të shpjegojmë se derisa AlternAtivA e ka drejtuar atë drejtori, numri i shqiptarëve aty nga 1% (ose 11 shqiptarë), siç e gjetëm më 2018, është rritur në 9% (ose 82 shqiptarë) në vitin 2020. Madje, përqindja e shqiptarëve në pozita drejtuese aty ka qenë 0% kur ne e morëm atë drejtori, ndërsa e kemi lënë më 28% shqiptarë në pozita drejtuese.

Megjithatë, ja që ende ka argatë e të a.q. parti shqipfolëse, që vijnë në pushtet për t’iu hakmarrë shqiptarëve dhe për t’u bërë favore maqedonasve. Kjo ka qenë kështu qysh nga koha e Jugosllavisë me Rakoviqin e deri te Gruevski, ndërsa – për fat të keq – po vazhdon edhe sot, kësaj radhe bile me protagonistë shqipfolës.

Nisur nga kjo, AlternAtivA u bën thirrje të gjithë atyre shqiptarëve që janë përjashtuar që të durojnë, sepse në çastin e parë që do të kthehemi në pushtet – ndërsa rrethanat thonë se kjo do të ndodhë shumë shpejt – ata do të kthehen në punë dhe asnjë shqiptar, por edhe askush tjetër, nuk do të përjashtohet më nga puna pse i takon një bashkësie etnike ose një partie politike.