Pasi që emri i kryetares aktuale të Komunës së Tetovës, Teuta Arifi ishte lakuar si kandidate e mundshme për ambasadore të Maqedonisë së Veriut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), ajo ka deklaruar se për të do të ishte nderë që ta përfaqësonte vendin në Uashington, por se për të prioritet është të përfundojë mandatin e marrë nga qytetarët si kryetar komune, raporton KOHA.

“Unë njëherë dua të faleminderojë për faktin që emri im përmendet si një emër I mundshëm në kryeqendrën e SHBA-ve, siç është Uashingtoni, duke pasur parasysh faktin që në SHBA, gjithmonë jam ndjerë si në shtëpinë time, në fakt një prej orientimeve të mija konceptuale vite me radhë. Megjithatë unë jam në detyrën e kryetares së komunës së Tetovës, respekt shumë i madh që më është bërë nga qytetarët e Tetovës, dhe jam shumë e bindur që do ta vazhdoj mandatin tim deri në fund. Opsionet e tjera janë çështje të tjera që do i mendojmë pasi t’i kryej obligimet që mi kanë ngarkuar qytetarët me votën e tyre”, deklaroi Teuta Arifi.

Përndryshe, emri i Arifit, ishte përmendur në Parlament nga deputeti i VMRO-DPMNE-së Antonio Milloshovski, i cili kishte akuzuar qeverinë se në kohë para zgjedhjeve premton poste të ambasadorëve.