Ambasadorët: Të respektohet shumica e re në Maqedoni

Ambasadori i Holandës, Vauter Plomp, duke komentuar situatën politike në vend, ka përsëritur mesazhet e Brukselit, veçmas të eurokomisarit, Johanes Han, dhe zyrtares së lartë të Bashkimit Europian, Frederika Mogerinit.
Ai tha se parlamenti duhet të normalizohet dhe të respektohet shumica e re parlamentare.
“Unë thjesht do t’i përsëris mesazhet që janë dhënë tashmë tre herë brenda këtyre javëve të fundit, dy herë nga eurokomisari Han dhe një herë nga përfaqësuesja e lartë, Mogerini. Parlamenti duhet të mblidhet dhe shumica parlamentare duhet të respektohet”,- deklaroi ambasadori i Holandës në RM, Vauter Plomp.
Ambasadori francez në vend, Kristian Timonie, ka deklaruar se për dalje nga kriza politika nevojitet që interesi i përgjithshëm të vijë në plan të parë tek partitë politike.
Ai është shprehur i bindur se ekziston kapacitet për arritje të kompromisit dhe për zhbllokim të proceseve demokratike në vend.
“Maqedonia ka demokraci tashmë 25 vite, por gjithashtu edhe kulturë të përditshme të kompromisit, e cila u mundësoi bashkësive të ndryshme të jetojnë së bashku me shekuj dhe të krijojnë atë që sot ka kuptimin e realitetit në Maqedoni. Kështu që nuk shoh përse ai kapacitet i kompromisit nuk do të mund të shfrytëzohej edhe tani nëse ekziston vullnet i mirë, e jo vetëm interesat e posaçme personale. Nuk e di përse e tërë ajo përvojë të mos shfrytëzohet tani për t’u gjetur kompromise të cilat do të mund të funksionojnë”,- thekson Timonie.
Sipas tij, nëse mbetet status-kuo në krizën politike, çmimi do të jetë i lartë për Maqedoninë.