Sipas Ambasadorit amerikan në Shkup, Xhes Baily, vendimi i Presidentit maqedonas, Gjorge Ivanov, për të mos mandatuar Zoran Zaev, nuk ishte një veprim i mirë dhe Kreu i Shtetit duhet të rishqyrtojë pozicionin e tij mbi këtë çështje. Ambasadori deklaroi se zgjidhja e krizës mund të vijë vetëm nëse institucionet funksionojnë në mënyrë demokratike. Ndërkohë, Zaev deklaroi se ka nisur përpjekjet për zgjedhjet e kryetarit të Parlamentit, post për të cilin po lakohen edhe emra politikanësh shqiptarë.

Ambasadori amerikan në Shkup, Jess Baily, ka përsëritur edhe njëherë qëndrimin e tij në lidhje me mosdhënien e mandatit nga Presidenti Gjorge Ivanov për liderin e LSDM-së, Zoran Zaev, duke deklaruar se ky nuk ishte një veprim i mirë dhe se pret që Kreu i Shtetit të rishqyrojë vendimin e marrë më herët.

Sipas përfaqësuesit diplomatik të Uashingtonit në Maqedoni, zgjidhja e krizës që ka përfshirë vendin mund të vijë vetëm më mirëfunksionimin e institucioneve demokratike, siç është edhe zyra e Presidencës.

“E kemi sqaruar shpesh herë qëndrimin tonë në lidhje me vendimin e Presidentit, Gjorge Ivanov. Ne mendojmë se nuk ishte një vendim i mirë dhe shpresojmë që Kreu i Shtetit ta rishqyrojë pozicionin e tij mbi këtë çështje. Mendoj se është e rëndësishme që institucionet demokratike të funksionojnë dhe vlerësoj se pikërisht këtu qëndron edhe zgjidhja e krizës”.

Ndërkohë, një tjetër prononcim ka patur edhe nga lideri i LSDM-së, Zoran Zaev. Ky i fundit deklaroi se social-demokratët janë të vendosur që të kalojnë çdo pengesë që i privon ata nga marrja e mandatit.

Kreu i social-demokratëve bëri të ditur gjithashtu se hapi i rradhës do të jetë zgjedhja e kryetarit të Parlamentit, i cili më pas do të njoftojë zyrtarisht Presidentin se në sallën legjislative është formuar një shumicë parlamentare që sipas Kushtetutës, duhet të mandatohet edhe për krijimin e kabinetit qeverisës.

Në postin e kryetarit të Parlamentit janë përfolur edhe disa alternativa nga pala shqiptare, por diçka e tillë do të mbetet për t’u parë gjatë ditëve në vijim.