‘Marrëveshja për bashkimin e partive shqiptare në Maqedoni nuk u shkrua nga BDI-ja e Ali Ahmetit’. Ka qenë kjo kryefjala e një letre zyrtare të dërguar nga Lëvizja BESA në adresë të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Zyrtarët e BESË-s bëjnë gjithashtu të ditur se nuk do të pranojnë të ulen më në negociata me BDI-në pa ndërmjetësimin e qeverisë shqiptare. Nga ana tjetër, LSDM e Zoran Zaev, i ka dërguar një dokument me shkrim Bashkimit Demokratik për Integrim, ku i ka propozuar edhe një marrëveshje për të formuar koalicionin qeverisës.

Lëvizja BESA i ka dërguar një letër kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në të cilën kërkohen sqarime mbi një deklaratë të bërë nga BDI-ja, e cila pretendon se marrëveshja për të bërë bashkë partitë shqiptare nën një platformë ishte propozuar nga zyrtarët e Bashkimit Demokratik për Integrim.

Lëvizja BESA e ka hedhur poshtë këtë pretendim duke theksuar se gjithçka është nisur nga qeveria e Shqipërisë, ndërsa shton se për shkak të këtij veprimi nuk do të pranojë të ulet më në bisedime me BDI-në, por shton se mund të dialogojë vetëm në rast se takimi do të ndërmjetësohet nga kryeministri Rama.

Partia debutuese shqiptare e cila ka arritur të sigurojë pesë vende në sallën e parlamentit lëshoi edhe akuza në drejtim të BDI-së, kur deklaroi se Ali Ahmeti ka qëndruar 14 vite në pushtet dhe nuk ka arritur të prodhojë asnjë politikë që shkon në të mirë të shqiptarëve.

 E ndërkohë, vijojnë bisedimet për të formuar një kabinet qeverisës.

Burime zyrtare bëjnë të ditur se LSDM i ka dorëzuar një dokument me shkrim BDI-së, ku parashtrohen edhe ofertat e Zoran Zaev për partinë shqiptare.

Ende nuk dihet se cilat janë saktësisht pikat e rradhitura në këtë dokument, por do të duhet të pritet për zbardhjen e tyre si dhe për pranimin ose jo të ofertës nga Bashkimi Demokratik për integrim.

Në një kohë kur partitë shqiptare duhet të shfrytëzojnë këtë moment vendimtar për të ardhmen e vendit, ata duket se vijojnë të kenë përçarje të thella.

Diçka e tillë u konfirmua edhe nga deklarata e lideri i PDSH-së Menduh Thaçi, ku ky i fundit u shpreh se PDSH-ja, Besa dhe Aleanca për Shqiptarët duhet të bashkohen kundër BDI-së, për shkak se kjo e fundit nuk po shfaqet konstruktive në negociata.