Siguria e vendit është e rrezikuar seriozisht pas zhvillimeve të fundit që u nxitën nga ashpërsimi i retorikës nacionaliste të ish kryeministrit Gruevski si dhenta vendimi i fundit i presidentit Ivanov. Akademiku Abdylmenaf Bexheti vlerëson se situata në Maqedoni po shkon duke u përshkallëzuar dhe mund të eskalojë nëse së shpejti nuk vihet nën kontroll.

 Fatkeqësisht nëse gjykojmë nga e kaluara mund të dëshmojmë se nuk po ndodh për herë të parë kjo situatë dhe mund të ketë eskalim të situatës pasi të gjithë faktorët tashmë vlerësojnë se nuk kemi të bëjmë vetëm me një krizë politike por ajo kalon edhe në krizë të sigurisë dhe i tejkalon dimensionet e një shtetit dhe është rajonale. Edhe zonja Mogerini e përmendi kompleksitin e situtatës në vend dhe rajon dhe këtu mund të pritet cdo gjë
tha akademiku Abdylmenaf Bexheti.

Edhe ish diplomati maqedonas Denko Malevski flet për pasojat e rrezikshme që mund të sjellë vendimi anti-kushtetues i Ivanovit për të mos ia dorëzuar kreut të LSDM-së Zoran Zaev mandatin për formimin e qeverisë së re. Ai vlerëson se aktualisht vendi ka nevojë për ndihmën e ndërkombëtarëve për të mos lejuar që situata të del nga kontrolli.

 Unë nuk shoh zgjidhje tjetër përveç që përmes presionit të brendshëm dhe ndërkombëtarë presidentit ta kryej detyrën e tij kushtetuese për të përmbyllur procesin e zgjedhjeve të 11 dhjetorit. Këtë e kanë borxhë politikanët ndaj qytetarëve dhe bashkësisë ndërkombëtare
tha ish diplomati Denko Malevski.

Duke analizuar situatën, njohësit e çështjeve politike thonë se Moska po keqpërdor situatën e krijuar në Maqedoni. Për situatën e fundit në vend, në emisionin 360 Gradë ka folur edhe ish ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, Ervan Fuere, i cili ka thënë se pas vendimit të fundit presidenti Ivanov duhet të jep dorëheqje pasi ka shkelur Kushtetutën. Sipas ish diplomatit evropian Ivanovi nuk përfaqëson interesat e qytetarëve por vetëm ato të VMRO-DPMNE-së . Ai më tej ka kërkuar që grupacioni i partive të djathta evropiane ta përjashtojë nga kjo organizatë VMRO-DPMNE-në e Gruevskit./Alsat-M