Intensifikimi i negociatave për zgjidhjen e konstestit për emrin pas shumë viteve ngecje, ka ngjallur optimizëm se çështja kësaj here po shkon drejt zgjidhjes. Vizitën e djeshme të Nimicit në Shkup, njohësit e rrethanave politike, Sefer Tahiri dhe Nano Rushin, e vlerësojnë si ditë tipike diplomatike, duke thënë se është shumë pozitive që bisedohet pas shumë vjet pauze. Tahiri deklaron se pala politike e cila është në pushtet e ka shumë të qartë se mandati i saj politik nuk lidhet vetëm me reformat e brendshme, por edhe me zgjidhjen e kësaj çështje shumë të rëndësishme. Sipas tij, nëse në tavolinën e negociatave vjen një propozim me prapashtëse gjeografike, i cili nuk do të ndikonte në identitetin e popullit maqedonas, atëherë palët mund të arrijnë në zgjidhjen e kontestit.
Sefer Tahiri, analist politik
“Nëse vjen ndonjë propozim i cili do të ishte i pranueshëm dhe për të cilin do të kishte kompromis politik mendoj se zgjidhja do të arrihej, normalisht nëse kjo nuk do të ndikonte drejtpërdrejt te populli maqedonas. Disponimi ekziston. Pala shqiptare duhet të jetë më aktive, duhet të përfshihet në këto bisedime, duhet të japë propozimet e veta. Duhet të refuzoj propozimin eventual nëse vjen parasysh që të quhet Republika Sllave apo Republika e Maqedonisë Sllave apo Republika Maqedonase, sepse, këto emra normalisht se janë të papranueshëm për palën shqiptare”
Për ish diplomatin Nano Ruzhin, ka akoma disa gjëra që është vështirë të pranohen nga opinioni publik. Por, ai e vlerëson si pozitiv faktin që kryeministrat e të dy vendeve janë deklaruar se nuk do të ndërhyjnë në çështjen e identitetit dhe se do të zgjidhin kontestin, pavarësisht se çfarë pasoja negative do të ketë ajo në rejtingun e tyre politik.
Nano Ruzhin, ish diplomat
“Vlerësoj se kishim një ngjarje të mirë diplomatike. Kuptohet se akoma ekziston frika se po cenohet çështja e identitetit edhe pse, sipas mendimit tim në Maqedoni akoma nuk ka definim të saktë se çfarë është identiteti. Vlerësoj se nevojitet debat në Maqedoni rreth asaj çështje. Identiteti është ndjenjë individuale e përkatësisë drejt një populli, komuniteti, etniteti, shteti, i njerëzve që ndajnë trashëgimi të përbashkëta historiko – kulturore, religjioze dhe vlera dhe për këtë mendoj se lehtë mund të shihet se me këto formula që i ofron Nimici nuk ka ndërhyrje në çështjen e identitetin në shtet”.
Sa i përket atmosferës tek qytetarët në Maqedoni dhe Greqi, Ruzhin thotë se atmosfera në Greqi më shumë është e drejtuar kundër Ciprasit dhe se çështja e emrit po shfrytëzohet vetëm si pretekst për të shprehur revoltën ndaj kryeminstrit grek. Ndërkohë, sipas tij, pakënaqësia e qytetërëve në vend ka të bëjë më shumë se ka njerëz që nuk pranojnë ndryshime. Nga ana tjetër, Tahiri vlerëson se referendumi është çështje formale, pasi fillimisht do të arrihet konsensus apo kompromis i gjerë politik. /Shenja