Analizat laboratorike të gjakut janë të rëndësishme për diagnostikim të pacientëve, por vetëm kur janë të sakta. Qytetarët ankohen për punën e laboratorëve, kryesisht atyre privat, për të dhëna jo të sakta gjatë ekzaminimit të gjakut. Madje një prej tyre thotë se ka pasur rast që brenda ditës e ka testuar gjakun në dy laboratorë të ndryshme dhe se rezultatet kanë qenë të kundërta me njëra tjetrën.

Për të vërtetuar këtë, ekipi i Televizionit Alsat dërgoi epruveta gjaku në dy laboratorë private. Gjaku u morr nga i njëjti njeri dhe në të njëjtën kohë, por rezultatet që dolën nga laboratorët ishin të ndryshme. Duke filluar nga analizat e sistemit imunitar, enzimat, sheqerin dhe leukocitet, rezultatet varionin lartë e poshtë, duke dhënë një pasqyrë jo reale të gjakut. Mjekët e kontaktuar nga Alsat në lidhje me rezultatet, u shprehën konfuz duke mos ditur se cilës t’i besojnë.

Nga Inspektorati Shtetërorë Shëndetësorë thanë që varet se në çfarë kushtesh janë bërë analizat, për sa kohë janë kryer, çfarë reagensësh kanë përdorur dhe se me çfarë mjetesh është kryer analiza e gjakut. Drejtoresha e këtij reparti Irena Buhova tha se me marrjen e këtij lajmi për rezultate të ndryshme, do i shpeshtojnë kontrollet nëpër laboratorët privat, duke shtuar se evidentimi i parregullsive eventuale do rezultojë nga dënimi me të holla, deri në mbylljen e laboratorëve.

Përveç rezultateve të ndryshme, atë që vërejti Televizioni Alsat në terren, ishin edhe çmimet e ndryshme për shërbime të njëjta shëndetësore./Alsat-M/