Në Ankara ka nisur gjyqi për mbi 500 puçistë, të akuzuar për organizimin e grushtit të dështuar të shtetit të 15 korrikut 2016. Ata rrezikojnë dënimin maksimal me burgim të përjetshëm.

Në kryeqytetin turk Ankara ka nisur gjyqi masiv për pjesëmarrësit në grushtin e dështuar të shtetit të 15 korrikut 2016. Janë mbi 500 të arrestuar, që u shfaqën përpara gjykatës për tu përballur me akuza për tentativë për të vrarë presidentin turk, tradhëti, e vrasje të civilëve.
Gjyqi ka nisur në një sallë të improvizuar në periferi të Ankarasë, që mund të përballojë një numër aq të madh të akuzuarish. Procesi gjyqsor bazohet kryesisht në ngjarjet që ndodhën në bazën ajrore Akinçi, që dyshohet se ka qenë edhe vendi ku puçistët u mblodhën për të organizuar puçin.
Jashtë sallës grupe familjarësh të viktimave të puçit hodhën parrulla ku kërkohej dënimi me vdekje i ushtarakëve puçuistë. Por dënimi kapital në Turqi është shfuqizuar që në 2004-ën dhe presidenti Erdoan ka në plan ta rikthejë me referendum.
Nëse shpallen fajtor për akuzat, shumë prej puçistëve do të vuajnë dënimin me burgim të përjetshëm. Në grushtin e dështuar të shtetit, ushtarakët puçistë vranë 249 civilë dhe plagosën mijëra të tjerë. Presidenti turk Rexhep Taip Erdoan akuzoi klerikun në arrati Fetullah Gylen, si organizator të puçit në përpjekje për ta rrëzuar nga pushteti.