Dhënia e lirisë së veprimit normal të qeverisë teknike nga ana e Komisionit për Antikorrupsion, ka ngjallur reagime në opinion. Sipas këtij komisioni, qeveria teknike do të ketë privilegjet e veprimtarisë së një qeverie të zakonshme. Ky vendim, i publikuar në formën e një mendimi në sajtin zyrtar të Komisioni antikorrupsion me një volum prej 35 faqesh, nuk vlerësohet si vendim i pritur nga një institucion i tillë. Ish-anëtari i këtij komisioni, Arif Musa, vlerëson se këto vendime janë jo-ligjore, në fazën kur kemi të bëjmë me një qeveri teknike.

“Nuk e shoh të arsyeshme një herë dhënien e lirisë në këtë situatë, në këto tensione politike, në këtë qeveri pa kryeministër, një kuvend pa legjitimitet, duhet ta them publikisht sepse ashtu është de fakto. Dhënia e lirisë nga ana e komisionit nuk e di ku bazohet. Në të gjitha normat pozitive të ligjit për parandalimin e korrupsionit nuk është e lejuar që në këtë fazë, posaçërisht të bëhen punësime të reja, të jepen koncesione, të jepen në shfrytëzim pasuritë të cilat kanë të bëjnë me interesin publik apo që janë në pasuri shtetërore”, tha Arif Musa, Ish anëtar i Komisionit për Antikorrupsion.

Sipas Arif Musës, çdo dëm i shkaktuar nga ana e qeverisë do të kthehet në kurriz të Komisionit për Antikorrupsion i cili i ka mundësuar këto privilegje.

“Pasojat janë shumë të mëdha për shkak se të gjitha dëmet që do t’i shkaktojë qeveria do të ketë një alibi të plotë në mbështetjen e këtij vendimi të dhënë nga ana e komisionit për parandalimin e korrupsionit”, u shpreh Arif Musa- Ish anëtar i Komisionit për Antikorrupsion.

Sipas këtyre të dhënave, qeveria do të ketë kompetenca në emërimin dhe shkarkimin e drejtorëve, anëtarëve të bordeve menaxhuese dhe mbikqyrëse, ambasadorëve etj. Në kohën kur vendi ndodhet në një shkallë të lartë të korrupsionit sipas listës botërore, në bazë të kësaj, qeveria gëzon kompetencat për punësime në administratën publike, emërimin ose shkarkimin e funksionarëve, të lidhë dhe të ndërpresë kontrata për koncesion të tokës shtetërore, të miratojë plane urbanistike si dhe të ndryshojë ligje. Deri në përcaktimin e zgjedhjeve, qeveria do të ketë edhe privilegje të tjera të cilat mund të ndikojnë drejtpërdrejt tek votuesit.