Pas paralajmërimit se Qeveria do të luftojë korrupsionin në mënyrë ofensive përmes një plani shtetëror, sot kryetarja e Antikorrupsionit Biljana Ivanovska për Alsat tha se ata nuk i dinë detajet e planit. Anëtarët e Komisionit Kundër Korrupsionit, si dhe i gjithë publiku, informacionet i kanë mësuar nga konferenca e djeshme për shtyp. Deri më tani, plani qeveritar për luftimin e korrupsionit në Maqedoni nuk i është dorëzuar Antikorrupsionit.

“Nuk e di se si e kanë bërë planin, por të gjitha vërejtjet tona,, gjetjet, iniciativat ia kemi dorëzuar Nikollovskit, kështu që mendoj se ka qenë njëfarë burimi dhe bazë për krijimin e masave në këtë plan, sepse ne nuk kemi qenë të përfshirë konkretisht në hartimin e këtij plani’ deklaroi Biljana Ivanovska kryetare e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesave.

Qëndrim kërkuam edhe nga DAP-i, nëse me rrjetëzimin e institucioneve do të jetë e mundur të shikohen llogaritë por edhe të vendosen sekretet tatimore të qytetarëve. Nga DAP-i na thanë se nuk e kanë parë planin e Qeverisë për luftën e korrupsionit dhe nuk e dinë se çfarë informacioni do të kenë për t’u dhënë anëtarëve të anti-korrupsionit.