Anton Quni tërheq kandidaturën për të parin e LDK-së
Kandidati për kryetar të LDK-së Anton Quni ka tërhequr kandidaturën e tij për këtë post pak para se të nis Kuvendi Zgjedhor i kësaj partie.
Këtë njoftim Quni e dha përmes një statusi në facebook.
“Zgjedhjet e 14 Shkurtit, treguan një momentum të ri në skenën e zhvillimeve politike, ndërkaq Lidhja Demokratike e Kosovës, shënoi rezultatin më kritik që nga themelimi i saj. Në këto rrethana, duke bartur mbi supe përgjegjësinë për të rikonsoliduar dhe për të rivendosur “Lidhjen” tonë aty ku e meriton, ashtu siç kam dëshmuar në momente shumë të vështira për proceset shtetndërtuese të Kosovës, isha i pari, edhe kësaj radhe, që kam shpallur kandidaturën time, për Kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kuvendet zgjedhore kanë dëshmuar shpeshherë zëra kundërshtues, pikëpamje divergjente dhe momente të vështira kundrejt përpjekjeve për të avancuar reformat brenda partisë
Por gjithsesi, nga formacioni i ri i udhëheqjes së re të Lidhjes Demokratike të Kosovës do të kërkoj llogaridhënie për të ri-vendosur dinjitetin e humbur të secilit nga anëtarët e sidmos, të ju garantojmë qytetarëve një rikthim dinjtoz me një qeverisje kualitative, që promovon vlerat më të larta të integritetit, kompetencës profesionale dhe transparencës.

Nga udhëheqja e re pritjet janë që të garantojnë gjithëpërfshirje në procesin e vendimmarrjes në LDK, mundësi të reja për anëtarë kredibil, përfaqësim të barabartë për gratë dhe të rinjtë në strukturat e të gjitha niveleve brenda partisë”, ka shkruar Quni në facebook.

Në garë mbesin Lutfi Haziri, Besian Mustafa dhe Lumir Abdixhiku.