Udhëheqësia e shoqatës së peshkatarëve sportiv “Trofta” në Dibër, dje ka kumtuar se ka dërguar peticionin me mbi 500 nënshkrime të dibranëve në adresë të Ministrisë për Bujqësi, me të cilën kërkohet që të tërhiqet konkursi për dhënien me koncesion për peshkim ekonomik

Për shkak të situatës me koronavirusin, protesta e paralajmëruar e dibranëve kundër dhënies së koncesionit për peshkim ekonomik në Liqenin e Dibrës u anulua, por në adresë të Ministrisë së Bujqësisë, u dërgua peticioni të cilin e kanë nënshkruar mbi 500 dibranë. Dibranët kurrë nuk do të bien dakord që me dhënien e koncesionit për peshkim ekonomik, të vazhdojë të zvogëlohet fondi i peshkut në liqenin e Dibrës, thuhet mes tjerave në reagimet e shumta që kanë dibranët pas shpalljes së konkursit nga ministria në fjalë për dhënien me koncesion për peshkim ekonomik në Liqenin e Dibrës.

Udhëheqësia e shoqatës së peshkatarëve sportiv “Trofta” në Dibër, dje ka kumtuar se ka dërguar peticionin me mbi 500 nënshkrime të dibranëve në adresë të Ministrisë për Bujqësi, me të cilën kërkohet që të tërhiqet konkursi për dhënien me koncesion për peshkim ekonomik. Kryetari i shoqatës, Dritan Bocku, për gazetën KOHA deklaroi se protesta e paralajmëruar momentalisht është anuluar për shkak të pandemisë të koronavirusit. Por, siç tha ai, është dërguar një peticion i nënshkruar nga shumë dibran me qëllim që Ministria të jetë vigjilente për dëmet që mund ti sjell koncesioni për peshkim ekonomik. Ai theksoi se në gjashtë vitet e kaluara, koncesioneri i mëparshëm pikërisht duke patur koncesionin për peshkim ekonomik, ka shkaktuar dëme të mëdha në fondin e peshkut duke e gjuajtur jashtë të gjithë normave të parapara me kontratën me koncesion.

“Ministria e Bujqësisë na e ndau ne si shoqatë koncesionin për peshkim sportiv dhe rekreacion. Kjo garanton një zhvillim të turizmit të Komunës Dibër, meqë Liqeni i Dibrës edhe pse është artificial, ka shumë bukuri natyrore dhe në të vijnë shumë peshkatarë sportiv nga të gjitha qytetet e vendit, por edhe nga Shqipëria dhe Kosova. Vet fakti që Liqenin e Dibrës e shfrytëzojnë për trajnime shumë kajak klube të vendit, por edhe nga shtetët të tjera të Evropës, tregon qartë se Dibra duhet ta shfrytëzojë këtë liqen për zhvillimin e turizmit”, thotë Bocku.

Protestat kundër dhënies së koncesionit për peshkim ekonomik janë anuluar, por ato do të mbahen në një moment të duhur. Pikërisht për këtë shkak, me peticionin e shoqatës së peshkatarëve sportiv, e cila ka përkrahjen e pushtetit vendor, sektorit joqeveritar, por edhe mbarë dibranëve, kërkoet që institucionet kompetente qendrore të mos japin koncesion për peshkim ekonomik. Dibrës i duhet zhvillim ekonomik, dhe nuk është e drejtë të ndahet koncesion për peshkim ekonomik dhe t’ju lejohet grupeve të caktuara për pak para, të bëjnë biznes me peshkun dibran për ta servuar në tryezat e qyteteve të tjera. Në pritje të vendimit të Ministrisë së Bujqësisë, shoqata “Trofta” dukshëm ka përforcuar kontrollin në liqen meqë ka tentime të shpeshta për peshkim ilegal dhe me rrjeta. (koha.mk)