Para Këshillit Penal të Gjykatës së Apelit u shqyrtuan ankesat e Prokurorisë Speciale për rastet gjyqësore “Total” dhe “Tifania’…
Në lëndën e parë gjyqësore i akuzuar kryesor është redaktori i TV Sitel, Dragan Pavloviq – Llatas, për të cilin Prokuroria Speciale kërkon shqiptimin e masës së paraburgimit, për shkak të rrezikut për ikje nga shteti i të akuzuarit.
Kërkesën e PPS-së Këshilli Gjyqësor i Apelit e ka refuzuar, me ç’rast ka shqiptuar vetëm masën e kujdesit më të madh, respektivisht me marrje të pasaportës dhe paraqitjes së të dyshuarit në gjykatë të paktën një herë në javë.
I akuzuari para trupit gjykues u shpreh i pakënaqur me vendimin ngase, sipas tij, ai shpesh po realizon udhëtime zyrtare jashtë vendit dhe me këtë i rrezikohet edhe vendi i punës, ligjërues fakulteti.
PPS vazhdon të qëndrojnë në kërkesën e saj se i akuzuari mund të vazhdojë edhe më tej me kryerjen e veprave të rënda kriminale, andaj kërkon masën e paraburgimit për të njëjtin.
“Gjendja me pasurinë e të akuzuarit dhe sjelljen e të njëjtit është tregues i drejtpërdrejtë i nevojës për shqiptimin e masës më të rreptë të cilën ne si prokurori e kërkojmë dhe kjo është masa e paraburgimit”,- është shprehur prokurori, Gavrill Bubevski nga PPS.
Specialja e akuzon Llatasin për evazion fiskal prej disa qindra mijëra eurove dhe shpërdorimin e pozitës zyrtare.
Ekipi i Janevës ka vërtetuar se kompania me po të njëjtin emër ka kryer evazion fiskal prej 120 mijë euro, ndërsa pronari nuk ka paguar detyrim ndaj shtetit në vlerë prej 60 mijë eurove. I dyshuari atë që e ka blerë për vete e ka evidentuar si furnizim për kompanitë e tij.
Gjykata e Apelit shqyrtoi edhe ankesën tjetër të PPS-së për lëndën gjyqësore “Tifanija”, ku i akuzuar kryesor është redaktorja e Tv Sitel, Ivona Talevska.
Talevska kërkoi që t’i kthehet pasaporta, në të kundërtën nuk mund t’i kryejë obligimet bankare me kredinë që paguan në Serbi.
PPS akuzon Talevskën për fshehje të tatimit përmes “Smart Grupit” – Shkup dhe keqpërdorim të një shume të majme të mjeteve financiare.
Specialja e ngarkon atë se ka dhënë informata të rreme në Drejtorinë e të Ardhurave Publike dhe nuk ka paguar tatimin ndaj shtetit.
“Smart Centar” nuk ka paguar tatim prej mbi 37 mijë euro, ndërsa e dyshuara ka kryer evazion prej mbi 16 mijë euro, si dhe janë shpenzuar para për gjëra personale në emër të kompanisë.