Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët, njëherit edhe Kryetar i Komunës së Gostivarit Arben Taravari nëpërmjet një postimi në rrjetin e tij social fejsbuk ju uron të gjithëve Vitin e Ri.

Vijon postimi i plotë:

Këtë vit gjendem për herë të parë në pozitën e kryetarit të Komunës së Gostivarit por dua që urimin tim për vitin e ri ta merrni si njëri prej jush dhe jo dikush që zyrtarisht kryen punën e tij.
Fillimisht urimi im shkon për të gjithë ato familje që fundviti i ka gjetur me një anëtar më pak! Jam shpirtërisht pranë jush! Uroj që viti tjetër t’ju lehtësoj zemrën e t’ju sjellë të mira!
Uroj të gjithë ata që i kanë fëmijët larg dhe festa e fundvitit nuk ka mundur t’i bashkojë! Vitin tjetër e festofshi bashkë!
Uroj të gjithë ato familje që nuk kanë para ta festojnë mbrëmjen e vitit të ri, zotohem para tyre që do bëj çdo gjë që është në fuqitë e mia që gjendja juaj të ndryshojë!
Uroj të gjithë qytetarët e Gostivarit, ata janë njerëzit më të dashur në botë për mua! Zoti më dhashtë mundësi t’ju a bëj jetën sa më të mirë e dalsha faqebardhë para jush!
Uroj kryeministrin e vendit dhe të gjithë funksionarët e shtetit! Uroj që Zoti t’ju ndriçojë mendjen e të punojnë ndershëm për këtë popull që i ka besuar fatet e tij! Uroj të kujtohen që njerëzit nuk ekzistojnë vetëm për kohë fushate por jetojnë çdo ditë të falur nga Zoti!
Uroj kolegët e mi mjekë e sidomos ata që do jenë në krye të detyrës natën e ndërrimit të viteve!
Uroj kolegët e mi profesorë të cilët luftojnë të jenë të ndershëm brenda një sistemi shpesh herë të padrejtë!
Uroj të gjithë bashkëpartiakët e mi të cilët përpiqen ndershëm të luftojnë për të drejtat e popullit!
Uroj dhe të gjithë politikanët e partive të tjera, të cilët edhe pse me ide të ndryshme kanë gjithsesi qëllime të ndershme! Qofshin sa më shumë të ndershëm!
Dhe në fund uroj sidomos fëmijët pasi ata e meritojnë më shumë gëzimin dhe festën se çdo njeri prej nesh!
Zoti i ruajtë buzëqeshjet e tyre!
Faleminderit të gjithëve!
Sinqerisht,
Arben Taravari