Sekretari i LR PDSH-së dhe Ministër i Shëndetësisë dr. Arben Taravari prej sot do të qëndrojë në vizitë zyrtare në SHBA. Ministri Taravari në SHBA është i ftuar në cilësinë e Sekretarit gjeneral të LR PDSH dhe si Ministër i Shëndetësisë.

Arben Taravari do të zhvilloje takime të nivelit të lartë në Kongresin Amerikan, duke u pritur nga Kongresmeni Amerikan Dana Rohrabacher të cilin do ta njoftojë nga afër për situatën politike në RM. Në këtë vizitë zyrtare Taravari në Departamentin e Shtetit Amerikan do të zhvilloj takim me Drejtorin e çështjeve jugore të Evropës Qendrore z. Mathew Palmer. Më pas Ministri Taravari do të takohet edhe me zyrtar të lartë të Departamentit të Shëndetësisë të SHBA-ve. Në kuadër të takimeve profesionale si Ministër i Shëndetësisë, Taravari do të zhvillojë vizitë edhe disa Universiteteve dhe Qendrave të njohura të mjekësisë në Uashington dhe Nju Jork. Pritet ta vizitojë Universitetin më të njohur të Mjekësisë të Universitetit George Washington.

Në Nju Jork, ministri Taravari do të takohet me zyrtar të lartë të Qendrës ndërkombëtare të Shëndetësisë në Universitetin e Nju Jorkut si dhe takim të rëndësishëm në njohjen e sistemit shëndetësor të shërbimeve ndërkombëtare.

Në fund të agjendës së tij Ministri Taravari do të zhvillojë takim pune edhe me Ligën Shqiptaro-Amerikane të SHBA.

Takimi i Arben Taravarit në SHBA është ndër takimet më të rëndësishme me një agjendë mjaft të ngjeshur që pritet të jep impakt dhe efekt ne aspektin politik dhe atë të Shëndetësisë në RM.