Kryetarja e Komunës së Tetovës dhe kandidatja për mandatin e ri, Teuta Arifi, në konferencë për shtyp tha se raundi i dytë i zgjedhjeve lokale për Tetovën nënkupton zgjedhje për të ecur përpara në një qytet evropian, të gjelbër dhe modern ose të kthehemi prapa. Ajo tha se tetovarët këtë javë do të vendosin për të ardhmen e komunës.

“Vizioni ynë për Tetovën është evropian – nënkupton standarde evropiane në aspektin e infrastrukturës, transparencës në administratë, mbrojtjes së mjedisit jetësor dhe mbi të gjitha standardit jetësor të qytetarëve. Dua që Tetova të jetë një qytet modern, evropian, me cilësinë më të lartë të jetës për të gjithë qytetarët. Kam prezantuar planin tim për katër vitet e ardhshme, me projekte realiste dhe të arritshme që do ta bëjnë Tetovën një qytet modern të denjë për të jetuar – me zgjidhje të qëndrueshme për problemin e trafikut, me një politikë të tolerancës zero për mbeturinat, qentë endacakë dhe kazinotë. Në katër vitet e ardhshme Tetova do të jetë një komunë e gjelbër, moderne dhe evropiane, tha Teuta Arifi.

Ajo theksoi se kur flasim për Tetovën evropiane nuk po flasim vetëm për infrastrukturë moderne dhe standarde të jetesës evropiane, por edhe për një shoqëri të tillë.