Sapo Gjykata Penale ta pranojë vendimin e Kuvendit për heqjen e imunitetit të gjashtë deputetëve, do të vendoset se kur këta do të merren në pyetje para gjykatës dhe a do t’u shqiptohet masa e paraburgimit njëjtë sikur 36 anëtarëve të grupit që ndiqen për dhunën e ushtruar në Kuvend më 27 prill. Për momentin, dihet vetëm se vendimi për heqjen e imunitetit i nënshkruar nga kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, ende nuk ka mbërritur në Gjykatën Penale. Mbrëmë, gjykata pranoi edhe dy ankesa të prokurorisë, kështu që edhe dy persona, nga paraburgimi shtëpiak u bartën në burgun e Shutkës. Bëhet fjalë për aktorin Vllado Janevskin dhe regjisorin Boris Damovski, udhëheqës të protestave “Për Maqedoni të përbashkët”, të cilët, bashkë me mbështetësit e tyre, hynë në ndërtesën e Kuvendit gjatë kohës së incidenteve të dhunshme.

“Këshilli penal pranë Gjykatës Themelore Shkupi 1 Shkup, duke vepruar ndaj ankesave të dorëzuara nga PPTH për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit, mori vendim për t’i pranuar ankesat e prokurorisë. Me këtë, u ndryshuan vendimet e gjykatësit të procedurës paraprake, duke i pranuar propozimet e PPTH për të caktuar masën e paraburgimit kundër të dyshuarve  B.D.   dhe V.J. të cilëve iu shqiptua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh”, nga Gjykata Themelore Shkupi 1.

Menjëherë pas vendimit që Jovanovski të dërgohet në Shutkë, një pjesë e kolegëve të tij në Teatrin Popullor të Maqedonisë, vendosën të dalin në përkrahje të tij duke e anuluar shfaqjen “Toka e askujt”. Oliver Mitkovski, një nga aktorët, gjithashtu përmes rrjeteve sociale sqaroi se vendimi i aktorëve ka qenë emocional dhe se ato nuk kërkojnë amnisti për veprat e kryera, por se janë institucionet ato që duhet ta rishqyrtojnë vendimin për paraburgimin e tyre. Pasuan reagime të shumta, si ai i avokatit Aleksandar Tortevskit i cili në Twitter bëri thirrje për bojkotim të aktorëve që “mbështesin pjesëmarrësit e grusht-shtetit”.

Drejtori i Teatrit Popullor të Maqedonisë sqaroi se aktorët e kanë refuzuar urdhrin e tij për realizim të shfaqjes. Kundër tyre, ai paralajmëroi dënime sepse – siç u shpreh – një sallë e tërë e mbushur me publik është kthyer në shtëpi.

“Në rregull është të solidarizohesh me ndonjë aktor. Por, është dashur të solidarizoheshin sot duke protestuar jashtë, e jo të kthejnë 600 njerëz nga salla. Kjo që e bënë është e pafalshme”, tha Dragan Spasov, drejtor i TPM.

Policia ende është në kërkim të gjashtë personave që për momentin janë të pakapshëm, pasi prokuroria për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit hapi hetim zyrtar për 27 prillin. Të 36 personat dyshohen për rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe të sigurisë. Në mesin e tyre janë edhe deputetët e VMRO-DPMNE-së të cilëve Kuvendi dje ua hoqi imunitetin: Krsto Mukoski, Sasho Vasilevski, Johan Tarçullovski, Luben Arnaudov, Lupço Dimovski dhe Zhakllina Peshevska. /TV 21/

https://www.youtube.com/watch?v=nJ9YR-6Nh6I