Krye-trafikanti i lëndëve narkotike për rajonin e Pollogut me inicialet SH.B i njohur me pseudonimin Tagar është lënë në arrest shtëpiak 30 ditorë dhe në vëzhgim policor, edhe pse nga bastisja e fundit e kryer në shtëpinë e tij një ditë më parë, policia sekuestroi 8 kg kokainë. Nuk është e qartë ende nëse kjo provë e re, 8 kg e pluhurit të bardhë do të bëjnë prokurorinë dhe gjykatën që të ndryshojnë masën e arrestit, për në paraburgim. Sipas të dhënave, pavarësisht arrestit shtëpiak, trafikanti është ankuar për probleme me zemrën dhe plogështi një ditë më parë dhe ka marrë kujdes mjekësor, pa iu shkëputur syve të policisë. Sipas të dhënave të ALSAT, narkotrafikanti SH.B ishte ndaluar në Prilep, ditë më parë, me një sasi të vogël lënde narkotike, por duke qenë se emri i tij ka qenë i njohur për policinë, hetimet janë shtrirë më gjerë, edhe në Tetovë ku dje u sekuestruan 8 kg pluhur i bardhë. Nga Sektori i Punëve të Brendshme në Tetovë theksojnë:

Mbrëmë në orën 11:20  pas një urdhri të gjykatës, pjesëtarë të policisë së Tetovës kanë kryer kontroll në shtëpinë dhe objektin ndihmës të 55 vjeçarit nga Tetovë, Sh.B. Pas kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar për ekzaminim marihuanë, peshore digjitale me mbetje të marihuanës, qese speciale dhe pluhur që përdoret për përzierje për lëndë narkotike. Sh.B. është arrestuar ndërsa pas zbardhjes së plotë të rastit, do të ngrihet padi penale ndaj tij”.- theksuan nga Sektori i Punëve të Brendshme të Tetovës

Nga policia nuk japin detaje të mëtejshme për shtrirjen e mundshme të operacionit, megjithatë, pritet që konfirmimi nga ekspertiza e lëndëve të konfiskuara, që prokuroria të kërkojë masë më shtrënguese për trafikantin. Ndërkaq, për një rast tjetër, atë të tre ditëve më parë të ndalimit të bab e birë me 12 kg marihuanë, prokuroria ka vendosur të ngrejë padi penale. Gjithashtu, edhe para një jave, një person nga Dibra u ndalua në zemër të Tetovës, me të paktën 20 kg lëndë narkotike.