Një inspektor i MPB-së është arrestuar për dyshime mbi keqpërdorimin e detyrës zyrtare. Bëhet fjalë për të dyshuarin Ivica Zhivaçki nga Kumanova me vend punë në ministrin e Brendshme qendrore i cili dyshohet se gjatë raportimeve për vjedhje nëpër lokacione të ndryshme ka vjedhur gjësende me vlerë. MPB shpjegon se keqpërdorimi i detyrës zyrtare nga personi i lartpërmendur është konstatuar nga Kontrolli i Brendshëm në kuadër të MPB. Siç mëson Alsat M nga burime brenda policisë, Zhivaçki po sa ka kuptuar se është nën hetim është stacionuar në Spitalin Psikiatrik në Bardovcë me qëllim shmangien nga përgjegjësia. Informacionet i konfirmon edhe dikasteri i Brendshëm.

Duke shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare, I.ZH i punësuar në MPB si inspektor kryesor për vjedhje të rënda, gjatë kryerjes së detyrës në një shtëpi ku ishte denoncuar vjedhje e rëndë, ka keqpërdorur detyrën duke vjedhur ari përderisa po përgatiste raport zyrtar –  njoftojnë nga MPB-ja.

Nëpunësit të MPB-së akoma nuk i është caktuar paraburgimi, ndërsa nga ana e ministrisë së Brendshme ndaj të njëjtit janë ndërmarrë masa disiplinore. Për veprën e dyshuar “keqpërdorim të detyrës zyrtare”, Zhivaçki rrezikon të paktën 3 vite burg.