Ditën e sotme kryeministri Edi Rama do të bëjë publike strukturën e qeverisë së re dhe emrat e ministave të rinj.

Ndryshe nga katër vjet më parë, Kryeministri Rama ka shmangur konsultimet me ministrat apo kandidatët për ministra, duke premtuar se çdo gjë do të bëhet publike në Asamblenë Kombëtare.
Skema e re e strukturës së qeverisë synon të bashkojë Ministrinë e Bujqësisë me atë të Mjedisit, Ministrinë e Turizmit me Kulturën dhe Sportin, Ministrinë e Ekonomisë me Energjinë dhe Ministrinë e Zhvillimit Urban me atë të Pushtetit Vendor.

Po ashtu, diskutohet për një ministri të re të Thesarit, si dhe një tjetër të Gruas dhe Rinisë, shkruan Panorama.

Vetë Kryeministri Rama lajmëroi pak ditë më parë edhe emërimin e një ministri shteti për Diasporën. Duket se kjo ministri, sipas deklaratave të Kryeministrit Rama në fushatë, do të realizojë edhe votimin për herë të parë në zgjedhjet e ardhshme të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.

Mësohet se në strukturën e re të qeverisë, zv.kryeministri do të mbulojë funksionet e një prej ministrive të rëndësishme. Qeveria aktuale ka në përbërje të saj 19 ministri, ndërsa bashkimi i disa ministrive duket se do të na kthejë në skemën qeverisëse të 2013-s. Duket se emrat e konsoliduar në kabinetin “Rama 2” do të jenë Fatmir Xhafaj, Damian Gjiknuri, Mimi Kodheli e Lindita Nikolla, ndërsa pritet të ketë dhe emra të rinj.

Mësohet se do të ketë një numër më të madh zv.ministrash, detyrat dhe kompetencat e të cilëve do të ndryshojnë pas bashkimit të disa ministrive. Gjatë mbledhjes së sotme të Asamblesë Kombëtare, Taulant Balla do të bëjë një raportim nga grupi i punës për veprimtarinë parlamentare.

Pas tij, Milva Ekonomi do të paraqesë një raport për dëgjesat publike. Niko Peleshi,do të paraqesë një raport për ristrukturimin e institucioneve.

Arben Ahmetaj do të paraqesë një raport për lehtësimin e procedurës burokratike, ndërsa Blerina Gjylameti do të bëjë publik bilancin e zgjedhjeve dhe raportin për organizimin elektoral të PSsë. Asambleja do të miratojë dhe projektvendimin për zgjedhjet e reja në PS.