Muhamed Asani është shkarkuar nga pozita drejtor i spitalit të Strugës, por ai do të vazhdojë të punojë si gjinekolog. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe tha se tani për tani ekspertët edhe Inspektorati Sanitar Shëndetësor po vazhdojnë ta hetojnë rastin.

“Po punojnë të gjitha institucionet të cilat duhet të jenë të kyçura. Vendimi e kemi sjell në bazë të ngjarjeve që kanë ndodhur deri tani. Po presim rezultatet dhe institucionet dhe pastaj do të shohim. Tani për tani a nuk do ta suspendoni?
Jo, jo tani drejtori është zëvendësuar. Drejtori i ri i spitalit të Strugës është Dr. Arsllani, ish Zëvendës Ministri i Shëndetësisë. Mbikëqyrja e ekspertëve nga Ministria e Shëndetësisë është ende në vazhdim, por gjithashtu po vazhdojnë aktivitetet e Inspektoratit Sanitar Shtetëror Shëndetësor”, deklaroi Filipçe.

Por partia opozitare VMRO DPMNE kërkon dorëheqjen e Filipçes, duke e akuzuar se nuk po e zgjidh problemin me lehonën nga Dibra e cila ngeli pa tre organe.

“A fle i qetë Venko Filipçe? A fle i qetë Venko Filipçe kur e di se populli po Lufton për mbijetesë?”, pyeti Marija Andonovska nga VMRO-DPMNE-ja.

Përpara zyrës së tij protestuan gratë anëtare të VMRO-DPMNE-së.

“Është e pa pranueshme, në shekullin 21 kur teknologjia në botë çdo ditë përparon, ne në Maqedoni të përballemi me këtë rast, një gruaje shtatzëne t’i shkatërrohet shëndeti reproduktiv. Apeloj që mos të vijmë në situatë, që duke humbur besimin tek institucionet të kthehemi në shekullin e mesëm dhe gratë të detyrohen të lindin nëpër shtëpitë e tyre”, tha Zhaklina Peshevska nga VMRO-DPMNE-ja.

Muhamed Asani është shkarkuar nga pozita e drejtorit, mirëpo Oda e mjekëve nuk ia ka marrë licencën si doktor, andaj ai ende mund ta ushtrojë detyrën e gjinekologut. Lehona nga Dibra nuk dorëzohet deri sa të gjej, siç shprehet, drejtësi. Ajo akuzon Asanin se pa nevojë i ka hequr asaj: veshkën, vezoren dhe mitrën, përderisa Asani thotë se këtë e ka bërë për t’ia shpëtuar jetën.