Nëse opozitës nuk i pëlqejnë ligjet për ekonomi, le të japë alternativa për t’i përmirësuar, por jo t’i bllokojë ato në Kuvend, kërkon Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. Tregon se ende ka masa nga pakoja e katër që nuk kanë kaluar në komisionet kuvendore.

“Në Kuvend qëndrojnë ende zgjidhje ligjore nga pakoja e katërt e masave ekonomike të cilat janë në Komisionin për Financa në pjesën e rikapitalizimit të Bankës për Zhvillim, por njëkohësisht edhe për masë të re për futjen e garancisë edhe në pjesën e masës së re për kompanitë e orientuara drejt eksportit dhe rritjen e kapacitetit të Bankës së Zhvillimit për të siguruar kredi pa interes për të gjitha kompanitë tona”, u shpreh Kreshnik Bekteshi – Ministër i Ekonomisë.

Kur fjalën po e merrte deputeti opozitar, Timço Mucunski, ministri Bekteshi gjeti mundësinë për t’i hedhur fjalë që të mbështesin ligjet në Kuvend.

Ej mirë u bëmë bashkë, të paktën t’i kalojmë ligjet tani në Kuvend në datë 23.

Mucunski: Po nga ju varet…Jo nga ne

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, ndonëse vlerëson se reagimi i vonuar e i pamjaftueshëm i Qeverisë do të sjellë pasoja mbi ekonominë vendore, megjithatë shton se në Kuvend i kanë mbështetur.

“Ne si opozitë vazhdimisht mbështesim atë ndihmë që paraqitet në formë ligjore në Kuvend, edhe pse konsiderojmë se është e pamjaftueshme, megjithatë ekziston një lloj ndihme që e përkrahim dhe i bëjmë thirrje shumicës parlamentare, nuk e di se pse pritet tashmë një muaj që si pikë në rend dite të vendosen ligjet që janë pjesë e pakos së pestë të masave ekonomike”, theksoi Timço Mucunski – deputet i VMRO-DPMNE-së.

Opozita shqiptare, që duke dorëzuar mijëra amendamente vazhdon të bllokojë shumë ligje në Kuvend, mbeten në qëndrimin e njëjtë. Koordinatori i grupit parlamentar, Skender Rexhepi, kërkon zgjidhje për ligjin për shtetësinë, përndryshe do të vazhdojnë të bllokojnë çdo ligj tjetër.

“Pa dyshim nuk jemi krenarë për faktin që ne do të bllokojmë këto propozim-ligje, ngase ne kemi edhe familjarë dhe miq e dashamirë, megjithatë jemi krenarë që do t’i dalim në mbrojtje një kategorie qytetarësh të cilët plot 30 vite nuk kanë marrë as edhe një ndihmë të vetme, as ekonomike, as sociale, as shëndetësore e as pensionale”, potencoi Skender Rexhepi – Koordinator i Grupit Parlamentar ASH-AAA.

Opozita shqiptare deri më tani ka dorëzuar mbi 14 mijë amendamente për ligje të ndryshme në Kuvend, duke i bllokuar të njëjtat, si formë reciprociteti si ndaj pushtetit po ashtu edhe ndaj opozitës maqedonase, që nuk pajtohen me propozimligjin e Aleancës-Alternativës për shtetësinë. Rexhepi ripërsësritë kërkesën drejtuar shumicës parlamentare që të ulen dhe të gjejnë zgjidhje për ligjin për shtetësi. Thotë se gjithnjë ka hapësirë për lëshime e tolerime, për të arritur në një marrëveshje që është në të mirë të qytetarëve.