Dështimet e qeverisë për ruajtjen e shëndetit publik në vendin tonë s’kanë të ndalur. Pas dështimit të saj me menaxhimin e valës së dytë të infeksionit nga virusi SARS-CoV-2, si pasojë e të cilit në vendin tonë e kanë humbur jetën më shumë se 2.953 qytetarë, ajo po dështon përsëri, kësaj radhe në sigurimin e vaksinave për imunizimin e popullatës, kjo si domosdoshmëri për ta kontrolluar infeksionin dhe për uljen e vdekshmërisë.

Siç e morëm vesh nga njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë, tek në fund të këtij muaji mund të vijë një kontingjent i vaksinave, që nuk do të mbulojnë as përqindjen minimale të popullatës, ndërsa për imunizimin e përgjithshëm as që mund të presim. Ndërkohë, sa për informacion, përveç Kosovës dhe Bosnjës, të gjitha vendet e tjera të rajonit ka kohë që kanë filluar me vaksinimin e popullsisë.
Në të vërtetë, si rezultat i mungesës së kapaciteteve dhe paaftësisë së qeverisë, vazhdon të rritet fatura që qytetarët e vendit e paguajnë me jetën e tyre dhe pasoja të tjera të rënda ekonomike, sociale dhe psikologjike. Siç mund të bindemi çdo ditë, qeveria me atë që bën ose, më saktë, me që s’arrin të bëjë, dëshmon se nuk arrin as të qeverisë brenda vendit, por as të ruajë dhe ndërtojë marrëdhënie të shëndosha me miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë.
Kjo neglizhencë dhe paaftësi e qeverisë për sigurimin e vaksinave për qytetarët e saj nuk është thjesht një rastësi ose papërgjegjshmëri, por ajo përbën një faj me pasoja të rënda, në radhë të parë për shëndetin e popullatës së vendit, por edhe për mbarëvajtjen ekonomiko-sociale të saj.
Prandaj, qeveria që s’arrin të kujdeset dhe ta ruajë shëndetin e popullatës jo vetëm që duhet të japë dorëheqje, por edhe duhet të japë llogari për dëmet që ua ka shkaktuar qytetarëve të vendit.