Debati rreth zgjedhjeve presidenciale është temë që po imponohet nga LSDM nëpërmjet BDI-së për ta defokusuar opinionin nga ndryshimet kushtetuese ku përvec tjerash ju bëhet padrejtësi shqiptarëve, vlerëson Aleanca për Shqiptarët.

“Vlerësojme se është ende herët të flitet për çështjen e zgjedhjeve Presidenciale e cila si temë po imponohet nga LSDM nëpërmjet BDI -së për dy arsye e para për ta defokusuar opinionin nga ndryshimet kushtetuese ku përvec tjerash ju bëhet padrejtësi shqiptarëve duke mos i respektuar kerkesat e tyre si legjitime, dhe arsye e tjetër është se LSDM e përdor BDI për t’i izoluar dhe ballansuar kandidaturat tjera ne LSDM për president Shteti, duke i dhënë sinjal BDI-së se Denko Malevski na qenka me i preferuar per BDI-në, këto janë lojra politike dhe manipulim”, i tha Gazetës Lajm zëdhënësi i ASH-së Flakron Bexheti.

Ai më tej ka shtuar se votat për presidentin konsensual, BDI-ja duhet t’i kushtëzojë me zyrtarizimin e gjuhës shqipe në Kushtetutë.
“BDI do të ishte mirë që në këmbim të votave të tyre per kandidatin e LSDM për president shteti të kerkonte nga LSDM që gjuha shqipe të jetë gjuhë zyrtare ne Maqedoni, duke e zhdukur nga Kushtetuta emërtimin matematikor 20%. Por, kuptohet se BDI do te mbaje llogari para votuesve te vetë ne veçanti dhe para shqiptareve ne përgjithesi” tha Flakron Bexheti.

Nga Lëvizja BESA e drejtuar nga Afrim Gashi, bëjnë të ditur se organet e partisë tashmë kanë nisur debatin e brendshëm rreth zgjedhjeve presidenciale, por ende nuk kanë marrë qëndrim përfundimarë rreth kësaj teme. “Kemi filluar debat të brendshwm rreth konceptit të pjesëmarrjes tonë në zgjedhjet presidenciale. Kur të kemi qendrim pwrfundimtar do ta bëjmë publik për opinionin”, tha zëdhënësi Orhan Murtezani.

Nga BESA e Bilall Kasamit, thonë se ende nuk kanë diskutuar për zgjedhjet presidenciale, pasi aktualisht janë të angazhuar me ndryshimet kushtetuese.
“Sa i përket kësaj çështje ende nuk është diskutuar në organet partiake. Në këtë periudhë jemi të angazhuar me procesin e ndryshimeve kushtetuese dhe kur do të shpallen zgjedhjet edhe zyrtarisht do të dalim me qëndrimin tone” i Gazetës Lajm, Elmedin Memishi, zëdhënësi i Lëvizjes Besa që drejtohet nga Bilall Kasami.

Bashkimi Demkratik për Integrim ka përsëritur qëndrimin se edhe në këto zgjedhje do të kërkojë një kandidat konsensual për President të Maqedonisë, shkruan Gazeta Lajm. Madje, kreu i kësaj partie ka përmendur emrin e profesorit maqedonas Denko Maleski, si të përshtatshëm për të marrë mbështetetjen e integristëve në garën për të parin e shtetit. Nga ana tjetër, partitë maqedonase nuk kanë folur akoma rreth kandidatëve të mundshëm për president. I vetmi informacion që del nga selitë partiake ëshë se emrat e kandidatëve do të zbulohen pas në fillim të vitit të ardhshëm.

Ditë më parë, kryeministri Zoran Zaev hodhi poshtë zërat rreth mundësisë për tu kandiduar për president. Ndërkohë, në opinion si kandidatë të mundshëm të LSDM-së permenden emrat e këshilltarit për çështje të sigurisë në Qeveri, Stevo Pendarovski dhe ministres së Mbrojtjes Radmilla Shekerinska. Sipas Kushtetutës, zgjedhjet presidenciale mbahen në 60 ditët e fundit të mandatit të Presidentit, Gjorge Ivanov. Ivanov u rizgjodh President për mandatin e dytë pesëvjeçar në prill të vitit 2014, duke u mbivotuar krahas kandidatit të LSDM-së, Stevo Pendaroski. BDI bojkotoi zgjedhjet e 2014-tës, pasi promovoi idenë për president konsensual, ndërsa PDSH garoi me kandidatin partiak, Iljaz Halimi./Gazeta Lajm/