Ballina Lajme Bota ASHPËRSOHET RETORIKA NË FUSHATËN PRESIDENCIALE

ASHPËRSOHET RETORIKA NË FUSHATËN PRESIDENCIALE

Ndërsa kanë mbetur vetëm dy muaj e gjysëm nga zgjedhjet presidenciale, kandidatët demokratë dhe republikanë po u bëjnë thirrje pakicave për mbështetje.

Prej më shumë se një javë kandidati republikan Donald Trump po përpiqet ta paraqesë demokraten Hillary Clinton si raciste dhe me paragjykime, duke e akuzuar se shkon tek komunitetet afrikano-amerikane vetëm për vota, duke neglizhuar papunësinë dhe krimin. Ndërsa zonja Clinton është kundërpërgjigjur me forcë, duke thënë se rivali i saj flet për afrikano-amerikanët me një gjuhë “fyese dhe injortante”.

Zoti Trump u ka thënë vazhdimisht votuesve afrikano-amerikanë këto ditë se dekada qeverisjeje demokrate i kanë lënë ata pas dore dhe u ka bërë thirrje të votojnë për republikanët sepse nuk kanë asgjë për të humbur.

“Ky është viti kur njerëzit që janë tradhëtuar nga politikat demokrate, përfshirë miliona e miliona qytetarë afrikano-amerikanë dhe hispanikë, të refuzojnë politikanët që i kanë zhgënjyer vazhdimisht”.

Duke folur në Nevada, zonja Clinton reagoi ashpër.

“Vetëm këtë javë, nën maskën e apelit për afrikano-amerikanët, Tump ka dalë para audiencave kryesisht të bardha dhe i ka përshkruar komunitetet me ngjyrë me një fjalor fyes dhe injorant: duke refuzuar varfërinë, duke folur për arsim të dobët, mungesë strehimi, nivele krimi joekzistuese”.

Ajo tha se është për të ardhur keq që Trump nuk sheh arritjet, si bizneset e suksesshme, studentët e diplomuar nga universitetet afrikano-amerikane dhe kishat me ndikim qëi kanë rrrënjët në komunitetet e tyre.

Zoti Trump është përpjekur ta zbusë tonin e tij edhe ndaj votuesve hispanikë. Ai ende vazhdon të thotë se do të ndërtojë një mur përgjatë kufirit amerikan me Meksikën, por është tërhequr nga premtimi për të deportuar miliona imigrantë të paligjshëm. Kandidati republikan thotë se nuk është racizëm që të duash të sigurosh kurfijtë e vendit nga imigrantët e paligjshëm dhe se ata që janë të shqetësuar nga “Islamizmi Radikal”, nuk janë “islamofobë”.

Por zonja Clinton thotë se nuk ka një Donald Trump tjetër, përveç atij që propozon politika që do t’i kthenin paragjykimet në realitet.

Ajo tha se e ashtuquajtuar “e djathtë alternative” e ka kapur peng Partinë Republikane, duke e përshkruar si një element të skajshëm që refuzon konservatorizmin tradicional si një rrezik ndaj supremacisë së bardhë.

Në një tubim në New Hampshire dje, zoti Trump tha se akuzat për racizëm ndaj kundërshtarëve janë “skenari më i vjetër demokrat” kur politikat nuk funksionojnë. Ai tha se zonja Clinton ka “vetëm fjalë dhe jo veprime” përsa i takon përmirësimit të jetës së afrikano amerikanëve.

Sipas një ankete të fundit të universitetit Quinnipiac, zonja Clinton ka një mbështetje prej 51 për qind, ndërsa zoti Trump 41 për qind./VoA