Nga Prof. dr. Etem Aziri

Tani më një kohë të gjatë qytetarët e RMV-së jetojnë me ethet e ndryshimeve kushtetuese. “O ndryshim urgjent i kushtetutës o do të ndodh nami”, na kërcënojnë një pjesë e madhe e politikanëve vendorë. Ndryshimi i kushtetutës që është rrjedhojë e kushtëzimeve bullgare do të ndodhë sot ose nesër. Shigjetat ndërmjet pozitës dhe opozitës maqedonase thehen rreth kostos që do të provokon ndryshimi eventual. S’do mënd se çmimin më të lartë do ta paguajnë maqedonasit etnik, por nuk do të jenë të kursyer edhe shqiptarët të cilët kohë pas kohe e luajnë rolin e vëzhguesit indiferent. Në shikim të parë duket sikurse mospajtimet e pozitës dhe opozitës maqedonase janë thjeshtë të karakterit formal. Njëra palë thotë se gota është gjysmë e mbushur, ndërsa pala tjetër se gota është gjysmë e zbrazur. Krijohet përshtypje se bëhet fjalë për ambicie të sëmura dhe inate. Analizat më të thella dëshmojnë diçka më ndryshe. Megjithatë, parashtrohet pyetja: Ku janë politikanët shqiptarë në këtë lojë me plot të pa njohura?! Ata tregohen kinse si lojtarë në teren, si gol shënues, ndërsa në fakt janë vetëm lojtar rezervë të pozicionuar nga e majta maqedonase.
Në rastin konkret duhet bërë dallim i qartë në mes rrugëtimit të RMV-së drejt BE-së dhe kushtëzimeve të Bullgarisë fqinje. Sa i përket inkuadrimit të RMV në BE ekziston një konsensus i përgjithshëm. Me përjashtim të “Levicës” të gjitha partitë tjera relevante inkuadrimin e shtetit në BE e shohin si alternativën më të qëndrueshme për perspektivat afat gjate të RMV-së. Problemi qëndron te kushtëzimet e mëtutjeshme të Bullgarisë të cilat janë shumë të mundshme, sepse historikisht shikuar politika bullgare ndaj shteteve fqinje ka qenë e paparashikueshme. Sa u takon subjekteve politike shqiptare në RMV vs. BE-së gjërat janë shumë të kthjellëta. Që nga fillimi i pluralizmit politik, Partia për Prosperitet Demokratik dhe Partia Demokratike Popullore me të madhe e afirmonin idenë “Shqiptarët e bashkuar në Evropën e bashkuar”, pra në BE. Megjithatë, sot ndodh një situatë pak e çuditshme. Garnitura aktuale e politikanëve shqiptarë mendon se e ka zbuluar ujin e nxehtë. Ata vetëm që nuk thonë se një ditë prej ditësh do ta marrin në krah RMV-në dhe do ta vendosin në BE. Le të mos harrojnë se shumë burra para tyre e kanë trasuar rrugëtimin e shqiptarëve drejt BE-së. Ti rikujtojmë qëndrimet e Arben Xhaferit, Ilaz Halimit, Abdurahman Alitit, Imer Imerit dhe shumë politikanëve tjerë. Garniturës aktuale i mbetet të asfalton vetëm një pjesë të rrugës drejt BE-së, sepse RMV-në në BE do ta anëtarëson garnitura e ardhshme e politikanëve shqiptarë, nënkuptohet në qoftë se deri atëherë do të jeton ndonjë shqiptarë në këta hapësira.
Sidoqoftë formimi i një Aleance për Ardhmërinë Evropiane dhe kërcënimet e sofistikuara të disa politikanëve nuk mbajnë ujë. Së fundi, ato janë në kundërshtim me principet e demokracisë bashkëkohore. Por, sikurse duket opozita maqedonase e ka kuptuar lehtësisht logjikën e hoxhë Nasradinit. Sipas anekdotës, hoxhës dikush ia kishte vjedhur gomarin. Nasradini i revoltuar i kërcënoi bashkë fshatarët, o ma ktheni gomarin o do ta bëj namin. Vjedhësi i frikësuar e kthen gomarin por nga kureshtja e pyeti hoxhën se çfarë planifikonte të bënte. Do të kisha blerë një gomar tjetër, u përgjigj Nasradini.
Patjetër me keqardhje duhet konstatuar se janë të mjera shtetet që kanë vetëm një alternativë. A bën pjesë RMV, në ato shtete, është pak si e vështirë të thuhet. S’do mënd se BE është destinacioni më i sigurtë për RMV-në dhe qytetarët e saj. Por, nuk duhet harruar se jeta është matematikë dhe se në politikë përveç interesit asgjë nuk është e përhershme. Andaj për gjërat madhore në instancë të fundit duhet të vendos populli si bartës i vetëm i sovranitetit të shtetit, e jo grupet e interesit dhe grupet për presion. Ani aman, hoxhallarët kur nuk kanë zgjidhje për ndonjë çështje fshihen pas librit të shenjë dhe Allahut fuqi plotë, ndërsa politikanët në RMV, fshihen pas faktorit ndërkombëtarë duke i shtrembëruar qëndrimet parimore, racionale, korrekte dhe shumë miqësore të tyre.
Në vija të përgjithshme porositë e ndërkombëtarëve në lidhje me inkuadrimin e shtetit në BE (por jo vetëm të RMV-së) mund të sublimohen në dy çështje: tejkalimi i papajtueshmërive për çështje të caktuara me vendet e BE-së, dhe arritja e standardeve të kapshme demokratike brenda shtetit, që para se gjithash nënkupton funksionimin e shtetit ligjor në të gjitha sferat e jetës shoqërore. Ndërkombëtarët nuk merren me përcaktime strikte të datave për realizimin e ndonjë aktiviteti të caktuar politik, e aq më pak a do të siillet ndonjë vendim i rëndësishëm para ose pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, ata nuk merren me zgjerimin e përbërjeve qeveritare të shteteve të caktuara, etj.
Atëherë, parashtrohet pyetja pse bëhet kaq shumë zhurmë rreth ndryshimit të kushtetutës dhe inkuadrimit të pakicës bullgare në të, sikurse me këtë veprim RMV përmes “alabra -kalabrës” bëhet anëtare e BE-së?! Pas cilës “ferrë fshihet lepuri” shikohet edhe prej Marsi e Jupiteri: paaftësia reale e garniturës aktuale t’i tejkalon problemet e grumbulluara në shoqëri dhe ruajtja me çdo kusht e kolltukëve. Në këtë rast nuk duhet harruar ajo që thonë pollogasit: “Njeriu vdes zakonisht nga ajo prej së cilës më së shumti frikësohet”. Vendimet madhore për shtetin nuk guxojnë të sillen pa konsensus të gjerë politik dhe pa bekimin e demosit. Në demokracitë e zhvilluara organizohet referendum për zgjidhjen e problemeve të qenve endacak e jo më për ndryshime kushtetuese të cilat munden dukshëm ta çekuilibrojnë shtetin. Andaj, në mospasjen e gatishmërisë për organizim të një referendumi mbarë popullorë, mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare është nevojë demokratike. Garnitura aktuale parlamentare dhe qeveritare disponon me legalitet, por e ka humbur fuqinë e legjitimitetit për sjellje të vendimeve madhore në emër të qytetarëve të RMV-së. Përbërja e re parlamentare e cila do të dukej shumë më ndryshe do të kishte reflektuar shkallë të lartë të legjitimitetit dhe do të vendoste për ndryshimet eventuale të kushtetutës në emër të popullit e jo në emër të partive politike. Fati e determinon atë që do të bëhet. Ajo që duhet bërë patjetër të ndodh. Në këtë moment mu kujtua një përallë e një miku nga Tetova, ish funksionar politik i Partisë Demokratike Popullore e më vonë Partisë Demokratike Shqiptare. Dikur në Reçicë të Madhe dhelpra ja merr pulën një fshatari dhe ik me vrap. Fshatari plot mllef e ndjek dhelprën e cila ik në drejtim të një farkëtarie. Me ta parë farkëtari me çekiçin në dorë vrapoi pas dhelprës e cila në një moment ndaloi dhe i tha farkëtarit: “Plotësisht e kuptoj fshatarin sepse ja mora pulën, por ty, mos ta mora vallë çekanin” ?! Edhe unë të them të drejtën, plotësisht e kuptoj fshatarin. por nuk gjej justifikim për farkëtarin.
Dhe për fund, si profesor shumë vjeçar i lëndës “Partitë politike dhe modelet zgjedhore”, kam përshtypje se subjektet politike shqiptare dhe një pjesë bukur e madhe e politikanëve të verbuar nga benifitet që ofron politika këtu, avash avash e humbin rrugën në oborr të shtëpisë. Ata e kanë për obligim t’i kthehen votuesit të rëndomtë dhe brengave të tija. Organizimi politik i shqiptarëve dita ditës e humb kuptimin. Elitat politike shqiptare e kanë obligim t’i mbrojnë shqiptarët këtu si etnitet dhe njëkohësisht të punojnë në ndërtimin e entitetit shqiptarë në RMV, që nënkupton një partneritet korrekt me maqedonasit etnik në të gjitha sferat e shtet ndërtimit. Pra imponohet sërish nevoja e kamotshme e ndërtimit të një trekëndëshi Tiranë-Prishtinë-Tetovë me parametra të një barazie të plotë. Shqiptarët e RMV-së nuk janë qytetarë pa adresë. Ata sot disponojnë me tre universitete dhe qindra doktora shkence të moshave të reja kompetent të garojnë me kolegët e tyre anembanë globit. Nga gjiri i shqiptarëve të RMV-së lindën dy nobelista që janë mburrje e kombit. Andaj le ta kenë të qartë të gjithë mentorët jo formal, se elitat politike shqiptare dhe ne këtu nuk kemi aspak nevojë që dikush të na mban ligjërata nga sfera e menaxhmentit politik. Unë e njoh interesin global shqiptarë shumë bukur. Është koha e fundit të kuptohet se shqiptarët këtu kanë një nivel të lartë pjekurie politike dhe nuk janë monedhë për kusuritje. Në qoftë se kemi nevojë për ligjërata politike do të kërkojmë ndihmë nga ekspertët tanë që punojnë në universitetet më të avancuara të Evropës Perëndimore dhe SHBA.
Në plan të brendshëm, elitat politike të shqiptarëve (nënkuptohet ata që bukës i thonë bukë e ujit ujë) patjetër të angazhohen për një distancim juridiko-kushtetues të shqiptarëve nga pakicat etnike në RMV. Republika e Maqedonisë së Veriut de fakto është shtet i shumicës së vogël dhe pakicës së madhe, por jo edhe de jure. Ndërprerja e rrugëtimit të rinisë shqiptare drejt vendeve perëndimore dhe kthimi i vëllezërve dhe motrave tona nga diaspora, patjetër si dikur (sikurse te partitë e mëhershme) të bëhet pjesë e platformave partiake. Duhet definitivisht të harrohet praktika e mbrapshtë sipas së cilës diasporën e kujtojmë vetëm kur kemi nevojë për votat e tyre, lekët dhe trimërinë e tyre.
Kësaj radhe nuk do të them asgjë për zgjerimin e përbërjes qeveritare edhe pse aspak nuk më pëlqen. Është e trishtueshme për pjesëmarrje në qeveri të një partie me tetë deputet të zgjedhur nga populli të debatohet në një takim jo formal. Pjesëmarrja në qeveri në kushte të tilla, kur botërisht dihet se në vitin 2024 janë zgjedhjet e rregullta, mundet të ketë pasoja negative e të pa parapara për ata që janë “pjesëmarrës të freskët”. Megjithatë pasoja mundet të ketë subjekti por jo edhe “kulltukaxhinjtë”, Sidoqoftë, atë që mbjellim atë edhe do ta korrim.
MOS NXITONI O BURRA, MOS NXITONI O TRIMA. DIELLI EDHE MË TUTJE DO TE LIND NE MËNGJES DHE DO TE PERËNDOJË NE MBRËMJE.
(25.1.2023)