Parimi i Badenterit si mekanizëm i cili do ti mbronte komunitetet etnike në Republikën e Maqedonisë nga majorizimi, me ndryshimet Kushtetuese të vitit 2001, të bazuara në Marrëveshjen e Ohrit u fut si instrument vetëm se në vendimmarrje të Kuvendit për çështje që kanë të bëjnë me të drejtat kolektive të shqiptarëve dhe bashkësive më të vogla etnike. Por, atë kohë me arsyetimin se nuk është koha ky parim ngjashëm edhe si me parimin e 20 %, është refuzuar të bëhet kategori Kushtetuese, shkruan gazeta Koha. Eksperti juridik dhe njohësi i çështjeve politike, Naser Ziberi në një prononcim për gazetën KOHA thotë se parimi i Badenterit si instrument nga mbrojtja e majorizimit është mirë që të jetë edhe pjesë e vendimmarrjeve të Qeverisë, ashtu siç është edhe pjesë e vendimmarrjes në Parlament.

“Edhe në Qeveri duhet të ekzistoj ky instrument mbrojtës. Gjatë nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit në vitin 2001, ky parim nuk ka arritur të futet në vendimmarrjen e Qeverisë me argumentin se mund t’i bllokojë proceset. Nëse ka vullnet politik mendoj se ky parim mund të aplikohet dhe futet si instrument edhe në Qeveri. Por mendoj se edhe nëse tani hapet kjo çështje përsëri do të përdoret i njëjti argument si në vitin 2001”, deklaroi Ziberi.

Nga ana tjetër, Albert Musliu, njohës i çështjeve politike në Maqedoni thekson se për mos futjen e parimit të Badenterit në vendimmarrjen e Qeverisë justifikimi në vitin 2001 ka qenë se nuk është koha tani, ngjashëm siç ishte justifikimi edhe për 20 %.

“Parimi i Badenterit dhe koncepti qytetarë që proklamon Qevria janë në kundërshtim njëra me tjetrën, për arsye se njëri parim ka të bëjë me të drejtat etnike e tjetri me të drejtat qytetare. Badenteri është një shpat me dy tehe, për arsye se shumica e Badenterit nënkupton vota të pjesëtarëve të komuniteteve etnike, që në rastin e Maqedonisë mund ti siguron edhe një parti maqedonase siç është rasti me LSDM-në e cila në radhët e saj ka edhe pjesëtarë të komunitetit shqiptarë dhe komuniteteve tjera etnike”, deklaroi për gazetën KOHA, analisti Albert Musliu.

Sikundër dihet, me ndryshimet Kushtetuese të vitit 2001, duke u bazuar në Marrëveshjen Paqësore të Ohrit e cila doli si rrjedhojë e luftës së vitit 2001, midis tjerash për t’ju shmangur majorizimit u fut si instrument në vendimmarrjen e Kuvendit edhe parimi i Badenterit, Mirëpo, atë botë në tavolinë ishte edhe ideja që ky parim të futet edhe në vendimmarrjen e Qeverisë, por u refuzua me argumentin se rrethanat dhe kushtet politike të kohës nuk ishin mjaftueshëm të pjekura që të instalohet ky mekanizëm edhe në Qeveri. Analistët për gazetën KOHA thonë se janë bërë tentime të vogla që të zëvendësohet ky instrument me disa projekte konkrete: formimi i Qeverisë në bazë të parimit fituesi me fituesin (fituesi i zgjedhjeve në kampin politik maqedonase dhe ai në kampin politik shqiptar formojnë Qeverinë), një program i përbashkët qeveritar i bazuar në programet e partive të koalicionit qeveritar etj. (koha.mk)