Kandidati i Aleancës për Shqiptarët për kryetar të Qytetit të Shkupit, Naim Bajrami në një prononcim për gazetën Lajm ka theksuar se pret një mobilizim të strukturës partiake dhe gjithë dashamirëve që janë ithtarë të idesë për faktorizimin e votës shqiptare në Shkup.

Ai shprehet se ky besim i dhënë që të kandidoj për Qytetin e Shkupit është një sfidë e madhe për të. Sipas tij, ASH do të del faqebardhë në zgjedhjet e 15 tetorit.
Bajrami gjithashtu potencon se nuk do të jenë në defanzivë, duke shikuar se si partitë maqedonase tentojnë t’i joshin shqiptarët. Kandidati i ASH për Shkup veçon se maqedonasit, gjegjësisht elita politike maqedonase nuk posedon mendësi demokratike.
“Do të ishte në të mirë të qytetit dhe vendit tonë, që të dilet nga kjo logjike, dhe pse jo qytetari maqedonas të përkrah një shqiptar për qytetin e Shkupit. Jam optimist, jam shumë i bindur se edhe qytetari maqedonas eshte i vetëdijshëm për pabarazinë në Shkup, për diskriminin dhe injorimin e pjesëve shqiptare dhe shpresoj që t’i prek në ndërgjegje”, ka deklaruar për Lajm, kandidati për qytetin e Shkupit nga rradhët e ASH-së, Naim Bajrami.